Bosnjë-Hercegovinë - Fillon votimi për zgjedhjet e përgjithshme

Procesi i votimit për zgjedhjet e përgjithshme në Bosnjë-Hercegovinë ka filluar sot, në orën 07.00, me hapjen e qendrave të votimit në mbarë vendin dhe në disa përfaqësi diplomatike.

Bosnjë-Hercegovinë - Fillon votimi për zgjedhjet e përgjithshme

Rreth 3,3 milionë votues do të zgjedhin, mes 7.748 kandidatëve, anëtarët e Presidencës tripalëshe, deputetët në Dhomën e Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjë-Hercegovinës, Presidentin e Republikës Srpska, si dhe për përfaqësuesit në dhjetë asambletë kantonale në Federatën e Bosnjë-Hercegovinës.

Sipas të dhënave të KQZ-së së Bosnjë-Hercegovinës, zgjedhjet do të zhvillohen në 5.401 qendra votimi brenda vendit, ndërsa në përfaqësitë konsullore e diplomatike të Bosnjë-Hercegovinës do të hapen 5 vendvotime, nga të cilat 2 në Ambasadat në Vjenë e Berlin dhe 3 në Konsullatat në Gjermani.

Qendrat e votimit do të qëndrojnë hapur deri në orën 19.00 të ditës së sotme. Komisioni Qendror Zgjedhor i Bosnjë-Hercegovinës do të publikojë sonte, në orën 24.00, rezultatet paraprake.

KQZ-ja e Bosnjë-Hercegovinës ka certifikuar gjithsej 113 subjekte politike (65 parti politike, 24 koalicione dhe 24 kandidatë të pavarur), ndërsa në fletëvotim janë paraqitur 98 subjekte politike (50 parti politike, 24 koalicione dhe 24 kandidatë të pavarur), me gjithsej 7.748 kandidatë, nga të cilët 3.276 femra (42%) dhe 4.472 meshkuj (58%).

Për zgjedhjet e përgjithshme janë regjistruar gjithsej 3.278.908 votues në shkallë vendi, prej të cilëve 2.030.076 nga entiteti i Federatës së Bosnjë-Hercegovinës dhe 1.214.832 në entitetin Republikës Srpska. Ndërsa jashtë Bosnjë-Hercegovinës janë regjistruar 42.139 votues.

Në zgjedhjet e sotme, në Bosnjë-Hercegovinë, kandidojnë në total 17 kandidatë për anëtarët e Presidencës tripalëshe, 10 prej tyre janë boshnjakë, 4 kroatë dhe 3 serbë.

Sakaq, Bakir Izetbegovic është kandidati i vetëm nga tre anëtarët aktualë të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, sepse dy anëtarët e tjerë, kroati Zeljko Komsic dhe serbi Nebojsa Radmanovic, sipas kushtetutës së vendit, nuk mund të jenë anëtarë të Presidencës tripalëshe për më shumë se dy mandate radhazi.

Këto do të jenë zgjedhjet e shtata të përgjithshme në Bosnjë-Hercegovinë pas Marrëveshjes të Dejtonit, apo të katërtat ku zyrtarët zgjidhen për një mandat katërvjeçar. Më parë, në tri cikle zgjedhore, në periudhën 1996-2000, zyrtarët e lartë në këto organe janë zgjedhur për mandate dyvjeçare.

Konfirmimi i rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2014 do të prezantohet nga KQZ-ja e Bosnjë-Hercegovinës jo më vonë se data 11 nëntor.

Për procesin zgjedhor qeveria e Bosnjë-Hercegovinës ka akorduar 4,5 milion euro, që është pak më shumë se në vitin 2010, kur shuma ishte 4,3 milion euro.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme