Kosovë - Jahjaga, takim me përfaqësuesit e pakicave në Kuvend

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot me përfaqësuesit e komuniteteve pakicë në Kuvend, për zgjidhjen e krizës politike në vend.

Kosovë - Jahjaga, takim me përfaqësuesit e pakicave në Kuvend

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka vazhduar sot takimet me subjektet politike para vazhdimit të seancës konstituive në 2 tetor, ku për herë të tretë është në rend dite zgjedhja e kryeparlamentarit.

Pas takimeve të veçanta dje me subjektet shqiptare të dy koalicioneve, parazgjedhore e paszgjedhore, të cilat nuk kanë ndryshuar pozicionet e tyre në synimet për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë e re, si dhe me Listën Serbe, e cila është shprehur se “nëse PDK i bën 52 vota, mund të llogarisë në 9 votat tona”, Jahjaga sot ka takuar përfaqësuesit e subjekteve të komuniteteve të tjera pakicë, nga ana e të cilëve është deklaruar gatishmëria të votojnë kandidatin e cilitdo koalicion për kryeparlamentar, për të zhbllokuar konstituimin e Kuvendit.

Nga takimet e djeshme dhe të sotme ende nuk ka ndonjë komunikatë nga Presidenca e Kosovës, e cila në 18 shtator në njoftimin zyrtar theksonte se “Presidentja Jahjaga, në kuadër të kompetencave të saj kushtetuese, si garantuese e funksionimit demokratik të institucioneve dhe faktor i unitetit të popullit, në takimet me udhëheqësit e partive politike parlamentare ka theksuar se konstituimi i institucioneve të Kosovës është domosdoshmëri për të çuar përpara proceset nëpër të cilat po kalon vendi. Ajo tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë përgjegjësinë e tyre në zgjidhjen e çështjeve brenda Kuvendit të Kosovës, duke u bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e vendit dhe në respektim të vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.

Presidentja Jahjaga citohej se takimet zhvillohen “me qëllim të lehtësimit të diskutimeve me forcat politike për gatishmërinë e deputetëve të Kuvendit për të gjetur zgjidhje për formimin e institucioneve të reja të vendit”.

Ndërkohë bëhet e ditur se ka filluar sot takimi i liderëve të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma dhe VV-së, pas takimeve të veçanta që kanë pasur dje me Presidenten kosovare. Takimi po zhvillohet në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Edhe Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës është mbledhur në një takim në zyrat e selisë qëndrore.

Ky takim vjen një ditë pas takimit që presidentja e vendit, Atifete Jahajga bërë konsulta me liderët e partive.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme