Jahjaga mbledh krerët e partive politike për gjetjen e zgjidhjes

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas kthimit nga SHBA-ja, ka ftuar sot në takim partitë parlamentare, me qëllim zhbllokimin e situatës politike.

Jahjaga mbledh krerët e partive politike për gjetjen e zgjidhjes

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, pas kthimit nga SHBA-ja, ka ftuar sot në takim partitë parlamentare, me qëllim zhbllokimin e situatës politike në të cilën është futur vendi pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Këto takime zhvillohen para seancës konstituive të 2 tetorit, të legjislaturës së pestë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit në Kosovë, ku zgjedhja e Kryetarit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit është për herë të tretë në rendin e ditës.

Presidentja Jahjaga zhvilloi një takim me Kryeministrin Hashim Thaçi, nënkryetarët e PDK-së , Kadri Veseli dhe Hajredin Kuçi, gjatë të cilit diskutuan për mundësinë e zgjidhjes së ngërçit politik të krijuar në Kosovë.

Pas Partisë Demokratike të Kosovës, në takim me Presidenten Jahjaga ishte Lidhja Demokratike e Kosovës. Në takim morën pjesë lideri i LDK-së, Isa Mustafa, Vjosa Osmani dhe Ismet Beqiri.

Mustafa ka konfirmuar se Presidentja Jahjaga ka thirrur përfaqësuesit e partive politike ndaras, për të diskutuar zgjidhjen e ngërçit politik.

Pas takimit me LDK-në, Presidentja Jahjaga, zhvillon takim me përfaqësues të Listës Serbe, kryesuar nga Aleksander Jabllanoviç, i cili ka thënë se “Nëse PDK i bën 52 vota, mund të llogarisë në votat tona”,

Mediat kosovare citojnë se presidentja iu ka dhënë 48 orë partive politike për gjetjen e zgjidhjes.

Priten edhe takimet e veçanta të Presidentes Jahjaga me liderët e Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.

Zgjedhja e Mustafës, kandidatit të koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma, për Kryetar të Kuvendit, pas ndërprerjes së seancës konstituive nga kryesuesja, në 17 korrik, me 65 vota pro dhe 18 abstenime, është anuluar nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Në 18 shtator, në vazhdimin pakminutësh të seancës konstituive, kandidati i koalicionit parazgjedhor të LDK, Arsim Bajrami mori 44 vota pro, të pamjafueshme për t’u zgjedhur Kryetar i Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh.

Më parë, në 18 shtator, Presidentja Jahjaga, kishte ftuar në takime të veçanta liderët e partive politike parlamentare për të diskutuar për zhvillimet pas mbajtjes atë ditë të vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme