Nishani: Afaristët shqiptarë në SHBA të investojnë në Shqipëri

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Presidenti Bujar Nishani i ftoi afaristët shqiptarë në Amerikë që të investojnë në vendin e origjinës së tyre.

Nishani: Afaristët shqiptarë në SHBA të investojnë në Shqipëri

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, u prit nё njё atmosferё shumё tё ngrohtё nga anёtarё tё shumtё dhe drejtues tё Rrjetit tё Profesionistëve dhe Sipërmarrësve Shqiptarë (Albanian Professionals and Entrepreneurs Network) në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me tё cilёt zhvilloi njё bashkёbisedim tё hapur pёr zhvillimet nё Shqipёri, perspektivёn e integrimit, marrёdhёniet me Shtetet e Bashkuara, bashkёpunimin me diasporёn etj.

Presidenti Nishani falënderoi sipërmarrësit shqiptarë në SHBA, “për përpjekjet e admirueshme dhe mbështetjen e ofruar nga komuniteti shqiptar në Amerikë, bijtë dhe bijat e Shqipërisë, zemra e të cilëve, pavarësisht distancës, kurrë nuk pushuan së rrahuri me ritmin e vëllezërve dhe motrave në atdhe”. “Shqipëria dhe Kosova janë duke jetuar në realitete që nuk kanë të krahasuar me asgjë të ngjashme në historinë tonë. Ne jetojmë në paqe, në bashkëpunim dhe mirëkuptim, në marrëdhënie dinamike, por edhe në një konkurrencë të shëndoshë me të tjerët”, tha Presidenti Nishani.

Reformat dhe progresi i Shqipërisë, vijoi Kreu i Shtetit “janë, para së gjithash, një arritje e qytetarëve shqiptarë, janë prova e përpjekjeve të tyre me ndikim të gjerë, dhe janë një përkthim i natyrshëm i dëshirave, ëndrrave dhe qëllimeve kolektive. Ato janë investim i brezit të sotëm për të kompensuar të kaluarën sa më shpejt të jetë e mundur, për të fituar kohë, për të investuar në të tashmen dhe për të siguruar më mirë të ardhmen. Megjithatë, reformat dhe zhvillimi jonë janë padyshim rezultat i bashkëpunimit të vendosur me partnerët, miqtë dhe me mbështetësit tanë dashamirës jashtë vendit, mes të cilëve SHBA zënë një vend kryesor”.

“Është gjithashtu një e vërtetë e padiskutueshme”, theksoi Nishani, “se rreth 1,2 milion shqiptarë – më shumë se një e treta e popullsisë në vend sot – të cilët e kanë bërë zgjedhjen, gjatë dy dekadave të fundit, të jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, japin një kontribut të çmuar dhe të mirëpritur në mënyra dhe forma të ndryshme, madje edhe kur ai nuk është drejtpërdrejt i dukshëm. U deshën disa vite për të kuptuar një gjë të thjeshtë: mungesa e shqiptarëve në tribunat e nderit, në altarët e vlerësimit apo tribunat e shkëlqimit nuk kishte të bënte me ndonjë lloj pamundësie të qenies tonë. Kjo kishte të bënte me sistemin që nuk i jepte atyre një mundësi për të qenë të realizuar. Artistë, aktorë, këngëtarë, atletë, gazetarë, studentë të shkëlqyer në universitete të famshme, sipërmarrës të rinj dhe të suksesshëm në fusha të ndryshme, me pak fjalë, ju që jeni sot këtu jeni një dëshmi e vlerave të fshehura, aftësive të pashfrytëzuara dhe rezultateve të munguara”.

Shqipëria është anëtare e NATO-s – dhe pas zhvillimeve dramatike në Ukrainë, të gjithë e kuptuan menjëherë rëndësinë strategjike të kësaj arritje të madhe të Shqipërisë. Ndërkohë, Shqipërisë iu dha statusi i vendit kandidat në BE disa muaj më parë dhe ajo është më afër se kurrë me BE-në. Pikërisht për arsyen se jemi në rrugën e një zhvillimi dinamik, me qëllime ambicioze dhe duke u përballur, si çdo vend, me atë që e ardhmja parashikon për ne, ne kemi nevojë edhe për më shumë miq, më shumë lidhje, më shumë njohje, dhe më shumë mundësi. Prandaj, një organizim më i mirë, bashkëpunim edhe më i afërt për të maksimizuar ndikimin në shoqërinë në të cilën ne jemi të integruar, është ndoshta mbështetja më e madhe dhe cilësore që mund të jepet për Shqipërinë, për Kosovën, për botën shqiptare, si pjesë e pandarë e botës perëndimore”, u shpreh Presidenti Nishani

Presidenti inkurajoi afaristët shqiptarë në SHBA që të ofrojne praninë e aktiviteteve të tyre në Shqipëri, në të gjitha dimensionet e mundshme të suksesit dhe prosperitetit për to, për Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo që janë.

Presidenti Nishani ishte gjithashtu i ftuar edhe nga Organizata “Rrёnjёt Shqiptare”, njё organizatё qё punon pёr promovimin e trashёgimisё kulturore shqiptare, pёr tё kremtuar pesёvjetorin e themelimit tё saj.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme