Tiranë – Miratohet buxheti për Xhaminë e re

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ndryshimet ligjore në Buxhetin e Shtetit që i hapin rrugën ndërtimit të Xhamisë së Madhe në Tiranë dhe Odeonit të Kryegjyshatës Botërore.

Tiranë – Miratohet buxheti për Xhaminë e re

Të enjten Kuvendi i Shqipërisë u mblodh në seancë plenare nën drejtimin e Kryetarit Ilir Meta dhe miratoi aktin normativ për rishikimin e buxhetit 2014 dhe disa projektligje të rëndësishme në fushën e mjekësisë, energjetikës.

Gjatë fjalës së tij në Parlament Kryeministri Edi Rama theksoi se me rishikimin që i bëhet buxhetit 2014 pritet të ulet deficiti dhe borxhi publik, si dhe të kthehen borxhet e akumuluara nga qeveria e kaluar. Rama tha se qeveria aktuale do ti kushtojë rëndësi të gjitha strukturave shtetërore, në rend, projekte dixhitale nëpër shkolla, rrugë,etj. “Janë 32 milionë dollarë që janë as më shumë e as më pak se përtej objektivit të vendosur me FMN, që qysh këtë vit të krijojmë mundësi të ulim deficitin dhe borxhin publik. Hedhim vështrim nga e ardhmja pa pasur të akumuluar borxhet e të varfërve. Janë 152 milionë dollarë që shkojnë për investime të mbetura rrugëve për të vazhduar mbushjen e gjithë gropave nga Valbona deri në Kardhiq. Sot, votojmë financimin për të kaluar nga librat e tablateve dixhitale”- u shpreh Rama gjatë fjalës së mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë.

Sipas ministrit të Financave të Shqipërisë, Shkëlqim Cani do të akordohen rreth 1.7 milionë dollarë për ndërtimin e Xhamisë së Re dhe Odeonit të madh të Kryegjyshatës. “U themi besimtarëve të ndryshëm, sipas besimit, se do t’u sigurohen shtëpitë e tyre të përbashkëta, 1.7 milionë USD për Xhaminë dhe Kryegjyshatën”- u shpreh Cani në fjalën e tij në Kuvend.

Vetëm disa ditë më parë kryeministri Rama do të premtonte rishikimin e buxhetit për ti hapur rrugë ndërtimin të Xhamisë së Re në Tiarnë. “Nga njëra anë do të mbyllim kapitullin e të gjithë kalvarit të gjatë që ka penguar ndërtimin e Xhamisë së re, duke vënë në dispozicion fondin e shpronësimit. Do të mbajmë zotimin që do të kemi një Xhami të re pa pallat dhe supermerkato ngjitur, dhe jo një pallat me supermarkato me Xhami ngjitur, siç ishte projekti i propozuar nga Bashkia e Tiranës, për arsye që i di Bashkia e Tiranës, por që i dimë dhe ne, i dinë të gjithë, por nuk jemi këtu duke marrë përsipër të themi se kush e kishte pallatin, kush e kishte supermarkaton, e kush do vinte të falej aty pranë, sikur po merrte thjesht dhe vetëm një lëmoshë. Parku i vënë në dispozicion do të jetë parku i besimit dhe i besimtarëve, pa pallate, pa supermarkato, pa apartamente për të shitur, pa apartamente për të mbajtur”- u shpreh Rama në një konferencë për shtyp të mbajtur pak kohë më parë, ndërsa sot propozimit e Këshillit të Ministrave për buxhetin shtesë kanë marrë edhe miratimin zyrtar të Kuvendit të Shqipërisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme