Dy persona të dyshuar për infektim nga ebola në Mal të Zi

Pesë persona që kanë mbërritur nga Nigeria janë nën mbikëqyrjen e Institutit të Shëndetit Publik.

Dy persona të dyshuar për infektim nga ebola në Mal të Zi

Sistemi shëndetësor i Malit të Zi ka marrë të gjitha masat parandaluese që virusi Ebola mos të arrijë në territorin e Malit të Zi.

Këtë e kanë raportuar drejtuesit e institucioneve shëndetësore të Malit të Zi, para Komitetit për shëndetësi të Kuvendit të Malit të Zi.

Është bërë e ditur se nga data 8 gusht dhe deri më sot, pesë persona që kanë mbërritur nga Nigeria ishin nën mbikëqyrjen e Institutit për Shëndet Publik, ndërkohë që dy prej tyre janë ende nën mbikëqyrjen e epidemiologëve.

"Në aeroportin e Podgoricës gjenden specialistët mjekësor, si hap i parë i parandalimit të virusit në këtë vend. Siç dihet në Malin e Zi nuk ka të infektuar nga virusi i Ebolës", ka deklaruar përfaqësuesi i Institutit për Shëndet Publik.

Ditë më parë drejtoresha e përgjithshme e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Margaret Chen ka thënë se në Afrikën Perëndimore më shumë se 2.400 persona kanë vdekur që nga fillimi i përhapjes së virusit Ebola. Virusi Ebola ka goditur më së shumti Guinenë, Liberinë, Nigerinë, Sierra Leone si dhe Republikën Demokratike të Kongos.

Ndihmësja e Ministrit të Shëndetësisë të Malit të Zi, Mira Jovanovski - Dasiç ka thënë se virusi Ebola ka bërë që të gjitha shtete të jenë maksimalisht të përkushtuara në luftën kundër përhapjes së këtij virusi.

"Ky virus nuk shqetëson vetëm Malin e Zi, por gati të gjitha shtetet e botës. Nëse dikush nga Afrika dëshiron që të vijë në Mal të Zi, ai së pari do të duhet të arrijë në Francë. Në këtë rast, shërbimet franceze për shëndetësi bëjnë teste dhe kontrollime nëse dikush është i infektuar. Nëse ai person vjen në Podgoricë, atëherë ne jemi këtu për të kontrolluar gjendjen e tij shëndetësore ", ka thënë Jovanovski-Dasic.

"Instituti nuk ka laborator që i plotëson standardet për të zbuluar infektimin me virusin Ebola. Në këtë rast ata do të dërgonin testet e bëra për në Itali", kanë njoftuar nga Instituti i Shëndetit Publik të Malit të Zi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme