Nisma për futjen e gjuhës turke në shkolla fillore

Shoqata e Turqve në Serbi ka filluar nismën për të futur gjuhën turke në shkollat fillore...

Nisma për futjen e gjuhës turke në shkolla fillore

Shoqata e Turqve në Serbi (UTS) e cila ka nisur iniciativën për të futur gjuhën turke si lëndë me zgjedhje nga klasa e pestë e shkollës fillore, ka zgjuar interesim të madh kudo në këtë shtet.

Kreu i Shoqatës së Turqve në Serbi, Alija Shahoviq (Šahović), ka deklaruar se në lidhje me këtë plan ata veç kanë biseduar me drejtorët e disa shkollave dhe se kjo gjë ka zgjuar interesim të madh, posaçërisht në Novi Pazar dhe komunat fqinje.

- Gjuha turke si lëndë me zgjedhje -

"Qyteti i Tutinit është shembull ku kjo gjë veç është bëre dhe në ato shkolla që tregojnë interesim gjuha turke do të futet si lëndë me zgjedhje", ka thënë Shahoviq duke theksuar se njëra nga arsyet për këtë iniciativë është shkuarja e të rinjve për të studiuar në Turqi, gjë për të cilën nevojitet një njohuri fillestare e gjuhës turke.

Në lidhje me këtë Shoqata e Turqve në Serbi, do të kryejë një anketë në lidhje me futjen e gjuhës turke në shkollat fillore, ku gjithashtu do të kërkohet mbështetja e drejtorëve dhe ministrisë kompetente.

Kjo Shoqatë, me seli në qytetin Novi Pazar, ka paralajmëruar se kjo iniciativë do të nisë edhe në komunat e tjera të Serbisë, jo vetëm në Sanxhak dhe se ata janë të njoftuar me procedurat e nevojshme për futjen e gjuhës së huaj në programet arsimore.

- Anëtarësimi në gjithë territorin e Serbisë -

Me ftesë të Ambasadës së Republikës së Turqisë në Beograd, delegacioni i Shoqatës së Turqve ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Ambasadë ku është takuar me ambasadorin turk Mehmet Kemal Bozay.

Gjatë takimit është konstatuar se iniciativa e formimit të kësaj Shoqate është e pranueshme dhe pozitive.

"Ambasadori Bozay ka theksuar se ka pasur shumë iniciativa të ngjashme në formimin e shoqatës, por delegacioni i Shoqatës sonë me sinqeritet të madh dhe seriozitet ka nisur me punë" shprehu përshtypjet e tij Alija Shahoviq.

"Gjithashtu është dakorduar që Shoqata të zgjerojë anëtarësimin në gjithë territorin e Serbisë. Hapi i parë është nisma për të futur gjuhën Turke si lëndë me zgjedhje në shkollat fillore", ka deklaruar Shahoviq.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme