Kosova, sot në Këshillin e Sigurimit i OKB-së

Këshilli i Sigurimit i OKB-së mblidhet sot për të diskutuar rreth raportit tremujor për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki-Moon, për periudhën 16 prill – 15 korrik.

Kosova, sot në Këshillin e Sigurimit i OKB-së

Në raport, i cili është publikuar në faqen e OKB-së në Internet, veç te tjerash, theksohet se Ban i lavdëron institucionet, entitetet politike dhe popullin e Kosovës, për zgjedhjet paqësore dhe të rregullta të organizuara më 8 qershor, për Kuvendin e Kosovës dhe për pjesëmarrjen e entiteteve politike serbe të Kosovës dhe votuesit në pjesën veriore të Kosovës.

Më tej, ai ka theksuar se negociatat paszgjedhore, që kanë pasuar, “kanë përfaqësuar një tjetër test të rëndësishëm të pjekurisë politike të institucioneve të Kosovës dhe konkludimi i tyre efikas është esencial, në mënyrë që udhëheqja e re në Prishtinë të mund të vazhdoje në mënyrë ekspeditive për t’i shqyrtuar sfidat kryesore, përfshirë reformën e sistemit zgjedhor dhe dialoguin politik me Beogradin”.

Sipas njoftimeve në Prishtinë, në seancën e sotme të Këshillit të Sigurimet Kosovën e përfaqëson ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Në seancën e kaluar, në 27 maj, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, duke folur para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka kërkuar njohjen edhe nga pesë vendet e BE-së dhe të gjitha vendet anëtare të OKB-së që ende nuk e kanë njohur shtetin e ri, ndërsa ka theksuar progresin, suksesin e përbashkët, bashkëpunimin dhe perspektivën evropiane edhe të gjithë rajonit. Këshillin e Sigurimit gjatë këtij muaji e kryeson Britania e Madhe. 


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme