KFOR, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon

Zv/kryeministrja e qeverisë së Republikës së Kosovës, Edita Tahiri ka zhvilluar sot një takim lamtumire me Komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Farina.

KFOR, në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon

Tahiri me këtë rast ka falënderuar Komandantin e KFOR-it për angazhimin e tij dhe të forcave të NATO-së për progresin e Kosovës duke vlerësuar lartë bashkëpunimin mes qeverisë së Kosovës dhe NATO-s e KFOR-it për ndërtimin e demokracisë dhe sigurisë në shtetin e pavarur dhe demokratik të Kosovës. Ajo po ashtu ka theksuar se misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë në këto 15 vite vazhdon të gëzojë respekt dhe përkrahje të vazhdueshme nga ana e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan se roli i NATO-s dhe i KFOR-it është në shërbim të paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon. Tahiri ka vlerësuar se NATO është partnere strategjike e Kosovës në angazhimet për ndërtimin e arkitekturës së sigurisë të shtetit të ri, duke qenë se kemi vlera të përbashkëta euroatlantike.

Komandanti i KFOR-it, Salvatore Farina e ka falënderuar zv/kryeministren Tahiri dhe qeverinë e Kosovës për bashkëpunimin e deritanishëm, si dhe vlerësoi lart progresin e arritur në periudhën e shërbimit të tij në Kosovë. Ai tha se forcat e KFOR-it do të vazhdojnë të jenë në funksion të zbatimit të misionit që kanë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë dhe promovimit të bashkëpunimit dhe të tolerancës. NATO dhe KFOR mbeten të përkushtuara që misioni paqeruajtës ka për qëllim ofrimin e ambientit të sigurt dhe stabilitetit të përgjithshëm në vend, tha ai.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme