Mustafa: Ngërçi politik i krijuar duhet të zgjidhet në Kuvend

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, deklaroi se ngërçi politik i krijuar duhet të zgjidhet në Kuvend, me votë të deputetëve.

Mustafa: Ngërçi politik i krijuar duhet të zgjidhet në Kuvend

Në një intervistë sot për gazetën kosovare “Epoka e re”, Mustafa ka vlerësuar se “Qeveria gjithëpërfshirëse nuk ka asnjë kuptim, as demokratik, as racional”. Ai ka thënë se koalicioni LDK-AAK-Nisma është i vendosur për ta çuar projektin deri në fund, duke përjashtuar çdo mundësi të një koalicioni me PDK-në.

“Jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje të reja, por nuk jemi të gatshëm të lëshojmë pe nga projekti ynë”, është shprehur Mustafa, duke shtuar se vullneti i popullit nuk mund të përkufizohet me 30% të votave, por me shumicën.
Ai ka bërë me dije se kanë përkrahjen e pakicave dhe presin prapë votat e tyre në Kuvend dhe për Qeverinë.

Kryetari i LDK-së, Mustafa ka thënë se PDK-ja do ta propozojë e para kandidatin për kryeparlamentar, por nëse nuk arrin ta marrë shumicën, sipas tij, do të gjenden hapësira kushtetuese që blloku që ka shumicën ta zgjedhë kryetarin e Kuvendit.

Mustafa ka folur edhe për zgjedhjet në LDK, për të cilat ka thënë se do të mbahen këtë vjeshtë. Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që të jetë prapë kandidat për kryetar të partisë, ndërsa ka thënë se dëshiron që të ketë sa më shumë kandidatë në garën për postin e kryetarit të LDK-së.

Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), njëherësh deputet i grupit parlamentar 6+, Mahir Jagxhillar, ka thënë se kjo parti dhe ky grup parlamentar janë të gatshëm ta mbështetin në parim PDK-në për t’i formuar institucionet e reja.

“Në parim i kemi thënë (Thaçit) se jemi të gatshëm, por kjo çështje nuk varet vetëm prej nesh. Pra, nevojitet të krijohet shumica”, ka thënë Jagxhillar po për këtë gazetë në Prishtinë. Jagxhillar, i cili të hënën me deputetët e grupit parlamentar 6+ është takuar ndaras me Thaçin dhe liderët e bllokut (koalicionit paszgjedhor LDK-AAK-Nisma), ka thënë se ua kanë bërë të qartë se ky grup është kundër mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme