Rama: Do të votojmë shpejt ligjet e kthyera nga Presidenti

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, deklaroi sot në një konferencë për mediat se Kuvendi do të rikalojë me shpejtësi në Kuvend ligjet e kthyera nga Presidenti.

Rama: Do të votojmë shpejt ligjet e kthyera nga Presidenti

Banka e Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama në konferencën e sotme për shtyp iu përgjigj dhe interesimit të gazetarëve për ngjarjen e rëndë të vjedhjes së Bankës së Shqipërisë. I pyetur nëse do t’i kërkonte dorëheqjen Guvernatorit Ardian Fullani, Rama u përgjigj se Banka Qendrore është një institucion i pavarur dhe ai nuk do mund ta bënte këtë. “Qeveria nuk ka heshtur për këtë ngjarje, por duhet ta kuptoni se ka një ndryshim të rëndësishëm mes qeverisë dhe shoqërisë civile, pasi rolet dhe përgjegjësitë janë të ndryshme. Ne e kemi thënë qartë dhe prerë se ky është një akt kriminal që përbën një sfidë të trefishtë. Është një sfidë e madhe për Prokurorinë, që t’i shkojë deri në fund hetimit, por jo në rrugën tradicionale të hetimeve që nuk përfundojnë asnjëherë, por të hetimeve intensive, gjithëpërfshirëse dhe shteruese, për të nxjerrë çdo përgjegjësi”, tha Rama. Po ashtu, theksoi ai, kjo është një sfidë e madhe për autoritetin dhe sigurinë e Bankës, që dua t’ua them qartë e prerë se është një institucion i pavarur. Pse nuk i kërkoj dorëheqjen kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë apo asaj të Apelit, mund të kem shumë arësye mes njërit apo tjetrit, por si kryeministër nuk mund t’i kërkoj dorëheqjen drejtuesit të një institucioni të pavarur. Nga ana tjetër, vijoi Rama, kjo ngjarje është dhe një sfidë e madhe për Kuvendin dhe qeverinë, e cila duhet analizuar. Ne po e ndjekim ngjarjen ditë pas dite për të konkluduar në mënyrë konstruktive, por dhe në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, pasi BSH është pjesë integrale e një sistemi institucionesh financiare ndërkombëtare. Rama tha se përgjigjja e tij ndoshta mund të mos gëzojë shumëkënd, por nga ana tjetër nënvizoi ai, të gjithë duhet të kuptojmë se kjo do të ishte një thirrje në boshllkëk, që nuk do kishte asnjë lloj kuptimi nëse duam të respektojmë institucionet. “Kjo ngjarje e rëndë duhet trajtuar nga ne me vëmendje dhe vendosmëri maksimale. Qeveria do të flasë e fundit kur është fjala për raste të kësaj natyre, se ndryshe mund të bënim gabim shumë më të madh për të ndrequr një gabim të madh. Pra, nëse një gabim e korrigjojmë me një gabim tjetër apo një shkelje të ligjit e korrigjojmë me një shkelje tjetër të ligjit nuk sjellim një të mirë më afatgjatë dhe as nuk e bëjmë më të qëndrueshme Bankën e Shqipërisë, përkundrazi e bëjmë më vunerabël. Nëse ligji nuk i jep mundësi ligjore qeverisë të ndërhyjë atëhere problemin e ka ligji dhe ne do të shikojmë se çfarë mund të ndryshojmë në këtë ligj. Po ashtu, duhet të shikojmë se çfarë duhet të ndryshojmë tek sistemi dhe këtu ka pjesë dhe Këshilli Mbikqyrës. Dhe kur t’i kemi bërë të gjitha këto do të kemi sigurinë e plotë se kemi ndërtuar diçka më të fortë. Nga pozita e qeverisë dhe e Kuvendit ne kemi përgjegjësinë shumë të madhe për të siguruar në çdo hap konsolidimin e Bankës Qendrore, që pavarësia në vetvete të mos bëhet shkak për pandëshkueshmërinë”, u shpreh Rama.

Buxheti 2015

Duke folur për buxhetin e vit 2015, Kryeministri Rama u shpreh se, “jemi në diskutim për buxhetin dhe çfarë ndryshimesh fiskale do jenë të nevojshme. Por do të shihet ecuria e doganve dhe tatimeve që për momentin është brenda parashikimeve. Ndërhyrjet do të jenë shumë më të lehta sesa ato të vitit të parë”, tha Rama.

Ftesa e Merkel për Samitin e Ballkanit

Duke folur për ftesën e kancelares Merkel, Rama është shprehur se duhet të hyjmë në një fazë të reme BE, si pjesë të Europës ende të pabashkuar, pasi është viti i parë i një Ballkani ku nuk ka asnjë konflikt të hapur. Sipas tij kjo situatë paqeje është edhe një hapësirë e re për zhvillim në Ballkan. Mbështetja financiare sipas Ramës është e rëndësishme, pasi për projekte të rëndësishme si korridori 8, nuk mund të përballohen me buxhetet e vendeve të rajonit. “Ne jemi në vitin e parë të një Ballkani ku nuk ka asnjë konflikt të hapur, dhe është një paqe që është edhe një hapësirë e re për zhvillim, dhe gjëja që është kuptuar nga të gjithë është se duhet të hyjmë në një fazë të re me BE, si pjesë të Europës ende të pabashkuar dhe në këtë aspekt edhe ftesa e kancelares vjen si rezultat i bazës së përbashkët të kuptimit të situatës. Rajoni si i tërë nuk mund të presë, për çështje si korridori 8, dhe nuk mund të përballohet me buxhetet e vendeve të rajonit, por duhet të ketë edhe mbështetjen financiare. Kjo ka qenë kryefjala e kursit të ri të politikës së jashtme në raport me vendet partnere dhe jemi në një stacion ku duhet të jemi të gëzuar për arritjet, por duhet të hapim një proces të ri të marrëdhënieve të reja me BE”, tha Rama.

Reforma në drejtësi

Në konferencën e sotme për shtyp kryeministri iu përgjigj gazatarëve dhe për reformën në drejtësi, e cila tha ai, do të jetë e thellë dhe e plotë. “Nëse bëmë një reformë të thellë territoriale, nëse po bëjmë një reformë të thellë në arsim, dy gjëra që janë aktuale, po kaq e thellë do të jetë dhe reforma në drejtësi”, tha Rama.
Sa i takon antikorrrupsionit, theksoi kryeministri, ne do të hyjmë në një fazë të re, bazuar në sukseset e vendeve të tjera, por do të veprojmë intensivisht në të gjithë sektorët, pa bërë dallime.

“Ne nuk mendojmë se korrupsioni është identifikuar me Partinë Demokratike dhe qeverinë e kaluar dhe se gjithçka i takon atyre. Ne mendojmë se korrupsioni është një sëmundje aktive në shoqërinë tonë dhe që prek kudo ku sistemi nuk garanton transparencë dhe efektivitet”, nënvizoi Rama.

Nuk mund të them, shtoi ai, se me ardhjen tonë në qeverisje nuk paguan njeri asgjë. Ne kemi ende shumë për të bërë në pikat e shërbimeve, në hipoteka e kudo ku qytetarët përplasen për të marrë një shërbim.
“Po, përgatisim një projekt të madh të shërbimeve publike, një model tërësisht tranformues. Por, ajo që unë jam sot i bindur, bazuar në gjithë sa kemi arritur është se ne jemi plotësisht në linjën e programit tonë. Ne kemi të gjitha arësyet për të besuar se këto do të jenë katër vitet që do të transformojmë vendin dhe europianizojmë shtetin”, nënvizoi Rama në konferencën për shtyp.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme