Emigrantët e mbërritur në Shqipëri nuk janë të prekur nga ebola

Bino ka theksuar se Shqipëria nuk rrezikon nga importi i Ebolas nga vendet afrikane, ndërkohë që shpjegon dhe mënyrat e transmetimit.

Emigrantët e mbërritur në Shqipëri nuk janë të prekur nga ebola

Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino shuan panikun se në Vlorë kanë mbërritur emigrantë nga Guinea dhe se ata mund të përbëjnë rrezik për transmetimin e virusit Ebola në Shqipëri.

Bino thekson se është bërë një vlerësim për sëmundshmërinë, por emigrantët as kanë qenë të dyshuar dhe nuk i janë nënshtruar asnjë analizë, për më tepër që nuk vinin nga vendet që konsiderohen të rrezikshme.

“Nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar lidhur me Ebolan tek emigrantët apo personat që kanë hyrë në Shqipëri kohët e fundit. Të gjitha kanë qenë spekulime. Nuk është marrë asnjë mostër dhe nuk është bërë asnjë analizë sepse nuk ka pasur të rrezikuar. Emigrantët kanë qenë nga Eritrea dhe Siria, që nuk janë nga vendet e prekura nga virusi”, deklaron Bino.

Bino ka theksuar se Shqipëria nuk rrezikon nga importi i Ebolas nga vendet afrikane, ndërkohë që shpjegon dhe mënyrat e transmetimit. Por, nisur dhe nga rekomandimet e OBSH, të cilat po zbatohen në Shqipëri, ajo përjashtoi si risk edhe udhëtimet me avionë, ndërkohë që bëri dallimin ndërmjet importimit të malaries dhe Ebolas në Shqipëri.

“Transmetimi i Ebolas në udhëtimet me avion është i ulët. Edhe rastet e importimit të virusit në Shqipëri është i ulët, madje jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet evropiane, që kanë flukse shumë më të mëdha udhëtimi. Infektimi nga malaria dhe Ebola bëhet në mënyra të ndryshme. Malaria transmetohet nga një vektor, që mund të prekë këdo, ndërsa Ebola transmetohet vetëm atëherë kur bie në kontakt me një të sëmurë, me lëngjet trupore të tij. Pra, nuk transmetohet në rrugë ajrore”, thekson Bino.

Bino shton se policisë kufitare i janë dhënë udhëzime për vlerësimin e riskut për emigrantët që vijnë nga zona të rrezikshme si Guinea, Sierra Leone, Nigeria, Liberia, etj. Ndërkohë që në çdo pikë të hyrjes në Shqipëri janë ngritur ekipe mjekësore të cilat bëjnë vlerësimin e riskut.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur Ebolan një emergjencë dhe qeveritë përkatëse janë duke marrë masat sipas rekomandimeve të saj. Deri më sot numërohen 1.069 perona të cilët kanë humbur jetën nga virusi në fjalë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme