Shqipëri - CEZ, Tomasova: Akuzat e opozitës, ndikim negativ

Ambasadorja e Republikës Çeke në Tiranë, Bronislava Tomasova, ka kritikuar opozitën sa i përket akuzave të kësaj të fundit lidhur me marrëveshjen mes qeverisë shqiptare dhe CEZ.

Shqipëri - CEZ, Tomasova: Akuzat e opozitës, ndikim negativ

Duke folur nga Korça, Tomasova është shprehur se akuzat e PD-së kanë ndikim negativ, por që këto nuk mund ta ndalojnë zhvillimin e sektorit të energjisë.

Në këtë kuadër, ajo i bëri apel Tiranës zyrtare që të bashkëpunojë me qeverinë çeke në rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, ndërsa shtoi se nuk duhet harruar që Çekia është një vend i Bashkimit Evropian. Ndër të tjera, Tomasova u shpreh se inkurajon zhvillimin e sektorit të energjisë në Shqipëri, si një sektori i rëndësishëm për vendin.

Në fjalën e saj, ambasadorja çeke u ndal edhe tek reforma territoriale, ku sërish iu drejtuar me një apel opozitës, duke i kërkuar që të bashkëpunojë dhe të marrë pjesë në bisedime. Tomasova shprehu besimin se ndarja e re do të ndihmojë Shqipërinë që të ketë përmirësime dhe zhvillime.

Marrëveshja e arritur nga qeveria me CEZ, që konsiston në pagesën e një shume prej 95 milionë eurosh, duke shmangur kështu rastin e një arbitrazhi ndërkombëtar, ka ndezur debate mes mazhorancës dhe opozitës. Sipas PD-së, qeveria i ka falur para CEZ, pasi në rast të arbitrazhit ndërkombëtar, Shqipëria do të dilte e fituar. Nga ana tjetër, qeveria ka theksuar se kjo marrëveshje i jep fund konfliktit me CEZ dhe synon zhvillimin e sektorit të energjisë. Jo vetëm kaq, por sipas qeverisë, janë zbuluar edhe abuzimet e kryera nga qeveria e mëparshme, në një shifër prej 270 milionë eurosh, gjatë kohës që CEZ adminstrohej nga qeveria.

Vetë ndërkombëtarët, si Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, kanë vlerësuar marrëveshjen e arritur si zgjidhjen më të mirë përmes konsensusit. Javën e kaluar BB-ja i dha hua Shqipërisë 150 milionë euro për rimëkëmbjen e sektorit të energjisë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme