Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dënon terrorin e ISID-it

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë (KNFSH) ka reaguar fort lidhur me situatën në Lindjen e Mesme dhe për përpjekjet kriminale të organizatës ISID në Irak.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dënon terrorin e ISID-it

Përmes një deklarate për mediat, KNFSH-ja dënon ashpër aktet kriminale të grupeve terroriste dhe thotë se veprimet e grupeve kriminale nuk kanë aspak lidhje me parimet e fesë islame.

"Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë dhe anëtarët e tij (Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, Kisha Katolike e Shqipërisë dhe Kryegjyshata Botërore Bektashiane) mbështetur dhe nga Vëllazëria Ungjillore e Shqipërisë, po ndjekin me shqetësim situatën që po ndodh këto ditë në Lindjen e Mesme, në mënyrë të veçantë përndjekjen kriminale që terroristët e ISID në Irak po ushtrojnë ndaj popullsisë lokale të krishterë, madje edhe ndaj myslimanëve dhe minoriteteve të tjera, e në mënyrë mizore përndjekjen dhe dëbimin e detyruar me dhunë të të krishterëve irakianë dhe të irakianëve të feve të tjera prej vendit të tyre. Ne dënojmë me forcë akte të tilla kriminale që nuk kanë asgjë të përbashkët me parimet themelore të besimeve tona. Lusim Zotin, i cili na ka krijuar të gjithëve, që t’u kthejë paqen dhe dinjitetin atyre zonave. Në emër të Zotit kërkojmë të ulen armët e të kërkohet paqe dhe bashkëjetesë", thuhet në komunikatën e KNFSH-së.

Në këtë komunikatë, gjithashtu i bëhet thirrje faktorit ndërkombëtar që të gjejë zgjidhjet e duhura në mënyrë që të ndalet fenomeni i largimit dhe i shpërnguljes me dhunë të banorëve të Mosulit dhe të rrethinave për shkak të besimit të tyre.

Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë shpreh më tej solidaritet të plotë me të gjithë ata që vuajnë sot në luftërat e vendeve të Lindjes së Mesme, duke iu ofruar atyre lutjet dhe afërsinë shpirtërore.

Të gjithë të tronditur nga masakrat e militantëve ISID-it në Irak

Gazetari i “Financial Times”, David Gardner, ngre pyetjen se kush mund ta ketë radhën tashmë pas shtetit të Irakut.

“Gjatë muajit të shenjtë të ramazanit, Abu Bakr al-Bagdadi, udhëheqës i ekstremistëve njoftoi krijimin e kalifatit islamik, e ndërsa ky njoftim ishte i përkthyer në anglisht, frëngjisht, gjermanisht, turqisht, rusisht dhe gjuhën shqipe”, shkruan gazetari David Gardner në analizën e tij.

Ai potencon se meqenëse në Shqipëri, Kosovë dhe në vende të tjera me popullsi dërrmuese myslimane, Arabia Saudite ka mbështetje të islamit, kjo, sipas tij, mund t’i rrezikojë këta vende nga ndonjë sulm i mundshëm i ISID-it.

“Që nga fundi i luftës së ftohtë dhe pas luftërave të ish-Jugosllavisë, te Ballkani Perëndimor - veçanërisht në Shqipëri, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni dhe madje pjesë të Bullgarisë - ndikimi i fesë myslimane është rritur me hapjen e xhamive apo dhe medreseve”, thuhet në analizën e “FT”.

Megjithatë, gazetari në fjalë vë në pah se shtetet që ka lartpërmendur, në përgjithësi karakterizohen nga myslimanizëm modern dhe evropian dhe se shtetet po bëjnë ç’është e mundur të shmangin radikalizmin.

 

A. Halluni/SHQIPËRI


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme