Kosovë-Shqipëri, bizneset duan treg të përbashkët

Thellimi i bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë dhe eliminimi i barrierave me të cilat përballen bizneset, ishte temë kryesore gjatë vizitës të hënën të ambasadorit të Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, në selinë e Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ku është pritur nga kryetari Agim Shahini dhe bizneset.

Kosovë-Shqipëri, bizneset duan treg të përbashkët

Kryetari i AKB-së, Shahini, tha se Kosova dhe Shqipëria viteve të fundit kanë intensifikuar bashkëpunimin me qëllim të zhvillimit më të hovshëm të dy vendeve dhe se tashmë Kosova ka rritur eksportin drejt Shqipërisë dhe po e njëjta situatë qëndron edhe me importin.

“Sikur Kosova po ashtu edhe Shqipëria janë bërë vende shumë atraktive për investitorët dhe qytetarët e tyre. Derisa më parë kosovarët shfrytëzonin portet e shteteve tjera, tashmë portet shqiptare janë destinacionet kryesore për eksport dhe import të bizneseve nga Kosova”, tha Shahini, njofton AKB.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, tha se gatishmëria për eliminimin e barrierave të bizneseve të dy vendeve nuk ka munguar asnjëherë, por ajo kohëve të fundit është rritur shumë dhe kemi formuar edhe Dhomën Kombëtare Tregtare, në të cilën marrin pjesë bizneset nga të gjitha trevat shqiptare.

“Dy vendet kanë bërë investime me vite të tëra për të zhvilluar ekonominë dhe në anën tjetër kanë eliminuar barriera të shumta, të cilat do të eliminohen dhe në të ardhmen. Kosova dhe Shqipëria duhet të krijonë një treg të përbashkët dhe të fuqishëm”, tha Shahini.

Ambasadori shqiptar, Qemal Minxhozi, tha se do të bëhen hapa të mëtejmë nga qeveritë e dy shteteve me qëllim të zhvillimit ekonomik dhe se kohëve të fundit ka pasur rezultate konkrete.

“Do të zhdukim kufijtë ekonomikë e në fushat tjera. Në gjashtë muajt e fundit të këtij viti eksportet dhe importet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës janë rritur 22 për qind, por duhet të bëjmë edhe për më shumë”, tha ambasadori shqiptar.

Ambasadori Minxhozi tregoi se legjislacioni i dy shteteve është përmirësuar dhe vazhdon të korrigjohet, ku janë bërë hapa konkretë në dogana e tatime. Ambasadori tregoi se edhe në fushën e turizmit ka pasur rritje në krahasim me të kaluarën, ku kompanitë nga Kosova kanë zgjeruar operimin edhe në Vlorë e Sarandë.

“Prioritet kemi thithjen e investimeve në bujqësi, ku Shqipëria ka potenciale të jashtëzakonshme. Jemi në ndërtim e sipër të një terminali modern, i cili do të jetë në shfrytëzim vitin e ardhshëm”, tha ambasadori Minxhozi.

Përfaqësues të bizneseve nga Kosova kërkuan që të ketë lehtësira më të mëdha sidomos për prodhuesit, të cilët importojnë e eksportojnë nga Shqipëria.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme