Rama: Reforma territoriale, trajtim i posaçëm për minoritetet

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi sot se reforma territoriale, e miratuar dje në Kuvend, është një shembull i shkëlqyer për vendet e rajonit pasi garanton, në mënyrë bujare e largpamëse, një trajtim absolutisht të posaçëm për minoritetet.

Rama: Reforma territoriale, trajtim i posaçëm për minoritetet

“Janë 61 bashki që tani përbëjnë korpusin e qeverisjes vendore në Shqipëri, por në fakt janë 58 bashki të krijuara mbi bazë të kritereve të zonës funksionale dhe tre bashki, ajo e Finiqit, e Dropullit dhe e Pustecit, të krijuara mbi një kriter të vetëm, përjashtues nga kriteret e zonave funksionale, që është vetëdija jonë për të respektuar rrënjësisht lirinë dhe të drejtën e çdo shtetasi shqiptar, me kombësi tjetër”, nënvizoi Kryeministri Rama.

Gjatë një komunikimi me gazetarët nga selia e Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë së Tiranës vlerësoi miratimin e reformës së re territoriale edhe nga deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), pjesë e opozitës parlamentare, të cilët i falënderoj për qasjen konstruktive.

“Reforma u votua pa votat e Partisë Demokratike (PD), por jo pa votat e opozitës, sepse PD-ja pa asnjë dyshim është opozita më e madhe e vendit, por nuk është në zotërim të monopolit të opozitës”, komentoi Rama.

I pyetur nga gazetarët nëse mazhoranca ndihet më e fuqishme edhe me pesë votat e deputetëve të PDIU-së, kryeministri shqiptar u përgjigj se fuqia e Aleancës për Shqipërinë Evropiane nuk llogaritet me numrat në parlament, por mbështetet tek një milion votat që iu dhanë këtij koalicioni.

Po ashtu, i pyetur për qëndrimin e paskëtajëm të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, i cili, pas votimit kundër të reformës territoriale, ka paralajmëruar se do të rishikojë qëndrimin e tij në koalicionin e majtë, Rama u përgjigj se do të ndihej i keqardhur nëse ai do të largohej.

“Vangjel Dulen unë nuk e kam bërë mik në koalicionin qeverisës, por e kam pasur mik më parë, pavarësisht se në çfarë koalicioni ka qenë, dhe do ta kem mik gjithmonë, pavarësisht se në çfarë koalicioni do të jetë. Sigurisht, do të isha i keqardhur nëse një reformë historike, me të cilën do të ndihet mirë çdo shtetas shqiptar dhe jo vetëm shtetasit shqiptarë me kombësi shqiptare, por edhe ata me kombësi greke, të ishte sebep për t’u larguar nga koalicioni. Sepse kjo, në rastin më të mirë, do ishte mungesë objektiviteti në vlerësimin e një reforme që do të ndryshojë përgjithmonë Shqipërinë”, u shpreh Rama.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme