KE prezantoi progresraportin e dytë për Kosovën

Raporti vlerëson progresin që Kosova ka arritur në secilën fushë të udhërrëfyesit për viza dhe jep një numër rekomandimesh për Qeverinë e Kosovës në përmbushjen e pikave kryesore të udhërrëfyesit.

KE prezantoi progresraportin e dytë për Kosovën

''Autoritetet e Kosovës kanë punuar shumë dhe kanë arritur progres në fushat, si pranimi dhe siguria e pasaportave. Ata duhet të vazhdojnë të punojnë në rezultatet e treguara dhe të angazhohen në mangësitë e identifikuara në këtë raport, në veçanti kur është fjala për sistemin informativ për viza, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit. Komisioni Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë ata në përpjekjet e tyre për të pasur progres konkret në vend”, thotë komisionerja për Çështje të Brendshme, Cecilia Malmström.

Kosova ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për të implementuar legjislacionin e saj në të gjitha fushat e udhërrëfyesit për viza. Raporti rekomandon që Kosova të rrisë riintegrimin e qëndrueshëm të të kthyerve; të përmirësojë saktësinë e sistemit të saj për statusin civil; të shtyjë para sistemin informativ për viza; të zhvillojë pavarësinë e gjyqësorit; dhe të krijojë një regjistër të besueshëm për vendimet e gjykatave të marra për rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Komisioni vlerëson ndikimin potencial të liberalizimit të vizave në siguri dhe migrim dhe konkludon se heqja e obligimit për viza për qytetarët e Kosovës ka sjellë si pasojë për BE-në rrezik në siguri dhe migrim. Që nga viti 2012, ka pasur një rritje të madhe në kontrabandimin e njerëzve nga Kosova, dhe raporti vjetor i EASO-s për vitin 2014 ka nënvizuar gjithashtu një rritje të konsiderueshme të numrit të aplikacioneve për kërkim azili në shtetet anëtare të BE-së nga qytetarët e Kosovës. Komisioni rekomandon hapa të mëtejshëm nga ana e Kosovës për zbutjen e rreziqeve në fushën e sigurisë dhe migrimit nga liberalizimi potencial i vizave.

Ndryshe, vendimi i Gjykatës Kushtetuese, për pezullimin e punës së Kuvendit, shihet nga Lëvizja Vetëvendosje si masë e përkohshme, e cila parandalon vendime apo ligje të cilat eventualisht do të mund të ishin pastaj të pariparueshme. Por, Visar Ymeri thotë se Gjykata Kushtetuese me arsyetimin që dha rreth vendimit të saj, i ka konsideruar si fakte çështjet të cilat do të duhej t’i interpretonte.

“Mirëpo në arsyetimin që ka dhënë Gjykata Kushtetuese janë disa çështje jashtëzakonisht problematike sepse Gjykata Kushtetuese tashmë i konstaton si fakte disa interpretime të cilat janë thelbi i problemit. Në rastin kur i referohet subjekteve politike dhe jo një grupi parlamentar që është themeluar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, po ashtu edhe referencës që I bëhet seancës konstituive dhe mbylljes së saj. Në një mënyrë Gjykata Kushtetuese i konsideron si fakte çështjet për të cilat do të duhet të bënte interpretim apo të merrte vendim për to. Dhe, në këtë drejtim, konsideroj që ky është një prej problemeve të këtij vendimi të Gjykatës Kushtetuese”, shprehet Ymeri.

Duke mos dashur të paragjykojë zhvillimet që mund të ndodhin pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, Ymeri tha se Vetëvendosje është e gatshme të hyjë në zgjedhje.

“Natyrisht që varet shumë edhe nga vendimi që do të nxjerrë Gjykata Kushtetuese. Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme edhe për zgjedhje dhe mendojmë që është më mirë që të kemi zgjedhje sesa të kemi përsëritje të Qeverisë Thaci 3”, cilëson Visar Ymeri i VV.

Lëvizja Vetëvendosje është ende e hapur që të bashkëpunoj me koalicionin LDK-AAK-Nisma, ndonëse këta të fundit, nuk i kanë ftuar në bisedime përfaqësuesit e Vetëvendosjes, asnjëherë pas seancës së 17 korrikut, tha Ymeri.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme