KFOR-i, i gatshëm të mbështesë paqen dhe sigurinë në Kosovë

Kryeministri Thaçi takoi komandantin e Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin Mark Ferguson III.

KFOR-i, i gatshëm të mbështesë paqen dhe sigurinë në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin Mark Ferguson III, i cili nis misionin e ri në këtë post.

Në takim, ku u diskutua për situatën e përgjithshme në Kosovë, mori pjesë edhe admirali Bruce Clingan, i cili përfundon misionin, si dhe komandanti i KFOR-it, gjenerali Salvatore Farina.

Admirali Mark Ferguson III theksoi gjatë takimit se KFOR-i çdo herë do të jetë i gatshëm të mbështesë paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe rajon. Ai u shpreh i kënaqur me përparimet që po shënon FSK-ja dhe u zotua se do të vazhdojnë të përkrahin zhvillimin e saj edhe në të ardhmen.

Kryeministri Thaçi tha se “aspiratat e institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës janë aspirata euroatlantike, prandaj duhet të punojmë bashkërisht”.

Duke shprehur konsideratën më të lartë për admiralin Bruce Clingan dhe për punën e tij në shërbim të forcimit të paqes dhe të stabilitetit rajonal, kryeministri Thaçi theksoi se ekspertët ushtarakë të NATO-s janë më meritorët për ngritjen dhe profesionalizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, në përputhje me standardet e NATO-s.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme