Maqedoni, protesta të shqiptarëve në disa qytete

Një grup prej shqiptarësh të rinj protestuan përsëri në Shkup në shenjë revolte për dënimet drakonike të 6 shqiptarëve në procesin “Monstra”.

Maqedoni, protesta të shqiptarëve në disa qytete

Kanë vazhduar protestat në disa qytete të Maqedonisë pas përplasjeve të dy ditëve mes policisë dhe popullsisë shqiptare.

Një grup prej shqiptarësh të rinj protestuan përsëri në Shkup në shenjë revolte për dënimet drakonike të 6 shqiptarëve në procesin “Monstra”.

Për dallim nga ditët tjera protesta e djeshme ishte më e qetë, ndërsa forca të mëdha policore me autoblindë dhe autobote kanë bllokuar bulevardin pranë Qendrës Tregtare “Mavrovasja”, për të pamundësuar drejtimin e demonstruesve kah Qendra e Shkupit dhe Qeveria.

Protestuesit demonstruan të qetë dhe me thirrje “duam drejtësi”, kundër aktvendimit të gjykatës për rastin “Monstra”.

Njëri nga familjarët e të arrestuarve, Bedri Ajdari tha se, protestat nuk do të ndalet dhe se ato do të vazhdojnë deri sa të lirohen familjarët e tyre të pafajshëm.

“Familjarët tanë janë dënuar pa asnjë fakt. Shteti dhe gjyqësia maqedonase na i ka poshtëruar kombin dhe fenë tonë duke na quajtur terroristë. Kjo nuk durohet më. Drejtësinë do të kërkojmë edhe në instanca më të larta”, deklaroi Ajdari.

Siç njofton agjenci a INA, në dallim nga Shkupi ku protestat ishin më të qeta në Tetovë ka eskaluar situata. Rreth 2000 protestues kanë marshuar rrugëve të Tetovës duke vazhduar drejtë selisë së BDI-së në fshatin Reçisë, ku edhe janë ndaluar nga policia maqedonase me anë të bombave paralizuese dhe bombave të gazit.

Reporteri i agjencisë së lajmeve INA bën të ditur se nga dhuna policore janë lënduar disa protestues. Zyrtarisht numri i të lënduarve akoma nuk dihet. Përpos në Shkup dhe Tetovë protesta të qeta dhe me intensitet më të vogël janë zhvilluar në Strugë, Dibër dhe Gostivar.

Protestat pasojnë pas dhunës policore ndaj protestuesve shqiptar dhe vendimit të Gjykatës Themelore në Shkup, që shpalli fajtorë dhe dënoi me burg të përjetshëm gjashtë shqiptarë të akuzuar për vrasjen e pesë maqedonasve dy vjet më parë.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme