Kosova anëtarësohet në organizatën "MARRI"

Kosova është anëtarësuar edhe në një organizatë tjetër të rëndësishme rajonale, e njohur si Iniciativa Rajonale për Migrim, Azil dhe Refugjatë (MARRI).

Kosova anëtarësohet në organizatën "MARRI"

Njoftimi zyrtar u bë të enjten nga MPJ kosovare, ndërsa ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka falënderuar shtetet anëtare për pranimin e Kosovës në një prej organizatave, që ndërlidhet ngushtë me liberalizimin e vizave.

Sipas Hoxhajt, pas pranimit të Kosovës në Komisionin e Venecias, në SEECP dhe MARRI, qershori është muaji multilateral për Kosovën sa i përket përfshirjes në organizata dhe po përmbushet një objektiv e Ministrisë së Jashtme i vendosur në fillim të vitit.

“Sot, dua të konfirmoj që Kosova është bërë anëtare e plotë me të drejta dhe obligime të barabarta në organizatën rajonale MARRI. Kjo organizatë është shumë me peshë në rajonin e Evropës Juglindore po ashtu është me rëndësi të madhe sa i përket procesit të liberalizimit të vizave. Qytetarët dhe shteti i Kosovës do të kenë përfitime konkrete nga anëtarësimi jonë në këtë organizatë. Pas anëtarësimeve në MARRI, SEECP dhe Komisionin e Venecias mund të them që qershori ka qenë një muaj multilateral. Përmes këtyre anëtarësimeve ne e zgjerojmë sovranitetin e Kosovës, e forcojmë atë në një rrafsh multilateral, por edhe shteti i Kosovës do të ketë përfitime të shumta në fusha të ndryshme”, u shpreh Hoxhaj.

Në deklaratën e përbashkët të aprovuar nga vendet anëtare i sigurohet Kosovës pjesëmarrje e plotë dhe më të drejta të barabarta sikurse anëtarët e tjerë, në mënyrë që përmes ushtrimit të aktiviteteve të MARRI-t të promovohet bashkëpunimi rajonal, siguria dhe stabiliteti.

MARRI është organizatë rajonale e themeluar në vitin 2003 me iniciativë të Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore dhe që nga vitit 2004 ka dy forume të rëndësishme përbrenda.

Kosova do të përfitojë shumë në aspektin e përmbushjes së kritereve për liberalizim të vizave pasi MARRI merret me çështjet e migrimit, të azilit, pranimit të të kthyerve, menaxhimit të integruar të kufirit, çështjet konsullore dhe vizave dhe të shpërngulurve.

Tani do të ketë shtatë shtete anëtare ku përveç Kosovës janë edhe Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria, Serbia, Bosnjë-Hercegovina dhe Maqedonia.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme