Shqipëria mori zyrtarisht nga Rumania kryesinë e radhës së SEECP

Presidentit i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, ka dalë në një konferencë për shtyp bashkë me homologun e tij rumun, Presidentin Traian Basesku, në përfundim të Samitit të Krerëve të Shteteve anëtare në Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore.

Shqipëria mori zyrtarisht nga Rumania kryesinë e radhës së SEECP

Të mërkurën ka prëfunduar punimet samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve anëtare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Shqipëria mori zyrtarisht nga Rumania kryesinë e radhës së organizatës.

Presidenti Nishani, në fjalën e tij, tha se “shprehëm vlerësimet tona të larta për Presidencën Rumune, e cila falë një pune profesionale dhe të përkushtuar shënoi arritje të rëndësishme, veçanërisht në bashkëpunimin në fushat e drejtësisë dhe punëve të brendshme, me fokus luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, bashkëpunimin parlamentar, forcimin e bashkëpunimit në fushën e statistikave, çështjeve konsullore, dhe të tjera nisma të cilat promovojnë bashkëpunimin rajonal dhe me partnerët e Bashkimit Evropian”.

Po ashtu, Presidenti Nishani u shpreh se “si Kryesues i radhës së SEECP-it, me moton “Regional ownership in action”, në bashkëpunim të ngushtë me Trojkën, Sekretariatin e RCC-së, të gjithë pjesëmarrësit në SEECP dhe me partnerët evropianë, Shqipëria merr këtë mandat me besimin dhe përkushtimin e plotë për të arritur të gjitha objektivat e saj ambiciozë”.

Republika e Shqipërisë mbetet e përkushtuar në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe intensifikimit të bashkëpunimit rajonal, tha Nishani “Roli i Shqipërisë në rajon është aktiv dhe konstruktiv, sepse ne besojmë se edhe interesave kombëtare shqiptare u shërbehet më së miri me një rajon në paqe e stabilitet të qëndrueshëm, të integruar në institucionet euroatlantike”.

“Presidenca shqiptare do të synojë rezultate të prekshme për pjesëmarrësit në SEECP dhe rajonin, si të tërë, duke e fokusuar aktivitetin e saj në forcimin e rolit rajonal, promovimin e dialogut ndërmjet anëtarëve të SEECP-it dhe konsolidimin e rëndësisë sektoriale të organizatës, të cilat do të përbëjnë edhe shtyllat kryesore të aktivitetit tonë. Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë shtylla që garantojnë paqen, sigurinë e stabilitetin në rajon dhe parakushte për integrimin e tij në Bashkimin Evropian”, ka pohuar Nishani.

Për këto arsye, tha Nishani, “procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore mbetet forumi qendror politik, bazuar në vullnetin e vetë vendeve të rajonit. Ai duhet të jetë institucioni gjithëpërfshirës, ku të gjitha këto vende të jenë të pranishme dhe të unifikojnë qëndrimet e tyre për problemet e përbashkëta në procesin e zhvillimit dhe integrimit në familjen evropiane. Në këtë frymë, pjesëmarrja e Kosovës në SEECP është shumë e rëndësishme, jo vetëm për vetë Kosovën, por edhe për rajonin tonë në tërësi”.

Gjthashtu, Nishani theksoi gjatë fjalës së tij se “bazuar në Parimet e Kartës së SEECP-it dhe marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuara nga Bashkimi Evropian sipas së cilave, asnjëra palë nuk do të pengojë dhe nuk do të inkurajojë një palë të tretë të bllokojë përparimin në rrugën e integrimit evropian, Shqipëria ka mirëpritur pjesëmarrjen e Kosovës në veprimtaritë e SEECP-it gjatë vitit të kaluar dhe përshëndet vendimin për ta ftuar Kosovën që të marrë pjesë në mënyrë të përhershme në veprimtaritë dhe takimet e të gjitha niveleve dhe në kushte të barabarta të SEECP-it”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme