Qeveria e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe vetë përmbajtje

Qeveria e Republikës së Kosovës fton qytetarët që po protestojnë sot në Mitrovicë për qetësi, maturi dhe vetë përmbajtje duke kërkuar që të mos bien pre e provokimeve nga ata që kanë për qëllim destablizimin e Kosovës.

Qeveria e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe vetë përmbajtje

Jahjaga: Çfarëdo përpjekje për të gjetur zgjidhje përmes dhunës do të përshkallëzojë situatën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po përcjell me shqetësim zhvillimet në qytetin e Mitrovicës dhe u bën thirrje qytetarëve të Republikës së Kosovës të tregojnë maturi dhe vetëpërmbajtje dhe të ndihmojnë organet e rendit që të kryejnë punën e tyre.

Presidentja Jahjaga thekson se çfarëdo përpjekje për të gjetur zgjidhje përmes përdorimit të dhunës do të përshkallëzojë situatën dhe do të pengojë çdo proces të vendosjes së normalitetit në qytetin e Mitrovicës, dhe në komunat në veri të territorit të Republikës së Kosovës.

Presidentja Jahjaga thekson se lëvizja e lirë e qytetarëve është e drejtë themelore e mishëruar edhe në Kushtetutën e vendit dhe është parim thelbësor i demokracisë, prandaj edhe çdo pengesë e vendosur në cilëndo pjesë të territorit të vendit pengon përpjekjet për vendosjen e sundimit të ligjit dhe të rendit dhe dëmton proceset që çojnë drejt integrimit të secilit qytetar të vendit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës.

Presidentja Jahjaga në takimet e fundit me përfaqësues të mekanizmave të sigurisë, ndërkombëtarë dhe vendorë, ka theksuar se rivendosja e barrikadës në urën e lumit Ibër, është e papranueshme dhe nuk i kontribuon i stabilitetit dhe paqes në vend.

Presidentja i bën thirrje Bashkimit Evropian që përmes angazhimit konkrete të gjejë zgjidhje për largimin e barrikadës në urën e lumit Ibër, që ka tensionuar situatën jo vetëm në Mitrovicë por në gjithë Kosovën dhe me të cilën dëmtohen proceset e zhvilluara në Bruksel dhe marrëveshjet e arritura për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Presidentja Jahjaga kërkon nga qytetarët e Mitrovicës dhe të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të ndihmojnë në tejkalimin e situatës së krijuar dhe të mos lejojnë përshkallëzimin e saj ndërkohë që nga organet e rendit kërkon rivendosjen e qetësisë në qytetin e Mitrovicës.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme