OBI miraton një rezolutë për njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të sesionit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare që ta njohin Kosovën.

OBI miraton një rezolutë për njohjen e Kosovës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në ditën e dytë të sesionit të Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës për Bashkëpunim Islamik u ka bërë thirrje të gjitha vendeve anëtare që ta njohin Kosovën.

Hoxhaj ka thënë se nuk ka asnjë arsye për të mos u njohur Kosova ndërsa pjesëmarrjen në këtë organizatë më të madhen pas OKB-së, e ka vlerësuar një mundësi të mirë edhe për forcimin e bashkëpunimit në nivelin bilateral dhe multilateral, bëhet e ditur nga Jeddah, Arabi Saudite, në njoftimin e dërguar të MPJ-së kosovare.

“Në ditën e dytë të sesionit të Organizatës për Bashkëpunim Islamik i ftova të gjitha vendet anëtare që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë një gjë të tillë. Kjo organizatë ka 57 vende anëtare dhe prej tyre 33 tashmë e kanë njohur pavarësinë. Pjesëmarrja në këtë forum është një mundësi e mirë për ta zgjeruar dhe forcuar subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës dhe thelluar bashkëpunimin në nivel bilateral dhe multilateral”, ka thënë Hoxhaj.

Në punimet e këtij sesioni është miratuar edhe Rezoluta e propozuar nga Shqipëria që u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik për njohjen e Kosovës, dhe e cila u referohet të arriturave të shtetit të Kosovës, Deklaratës së Pavarësisë, mendimit të GJND-së dhe rezolutave tjera relevante.

Në shenjë falënderimi për mbështetjen e kësaj organizate, ministri Hoxhaj ka takuar autoritetin më të lartë të OBI-t, Sekretarin e Përgjithshëm, Iyad Ameen Madani të cilin e ka falënderuar për përkrahjen që po i jep Kosovës.

Vetë sekretari Madani ka thënë se nuk ka arsye që vendet anëtare të mos e njohin Kosovën.

“Ne besojmë fuqishëm se Kosova duhet të jetë shtet i pavarur. Roli ynë në Organizatën për Bashkëpunim Islamik është të inkurajojmë më shumë vende anëtare që ta njohin Kosovën. Si Sekretar i Përgjithshëm nuk shoh arsye që ndonjëri prej vendeve anëtare të mos e njeh Kosovën. Raporti që dorëzova në mëngjes dhe atë çfarë iu referuam është se tani ka më shumë arsye për ta njohur Kosovën”, ka thënë Madani.

Në margjina të sesionit, Hoxhaj ka takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Ahmet Davutollu, me të cilin kanë vlerësuar marrëdhëniet e mira bilaterale.

Kryediplomati kosovar ka takuar edhe ministrat e vendeve të Mozambikut, Ugandës, Indonezisë që nuk e kanë njohur Kosovën duke ripërsëritur kërkesën për njohje. Po ashtu, Hoxhaj ka zhvilluar edhe takime me përfaqësuesin special të Presidentit Obama në OBI, ministrat e Xhibutit dhe Marokut.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme