Kosovë-BE, dialog për liberalizim të vizave

Në Bruksel, sot u mbajt takimi i katërt i zyrtarëve të nivelit të lartë në kuadër të Dialogut për Liberalizim të Vizave mes Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian.

Kosovë-BE, dialog për liberalizim të vizave

Delegacionin e Qeverisë së Kosovës në këtë takim e kryesonin Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, ndërsa Komisioni Evropian ishte i përfsqësuar nga Drejtori i përgjithshëm për Punë të Brendshme, Matthias Ruete, Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar dhe Drejtori për Ballkan Perëndimor i Drejtoratit të Përgjithshëm për zgjerim, Jean Eric Paquet.

Ministria kosovare e Integrimit Evropian bën të ditur se, ky takim është pjesë e takimeve të rregullta mes qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian, ku diskutohen të gjitha çështjet e ndërlidhura me përmbushjen e kritereve të Udhërrëfyesit për Liberalizimin e Vizave.

Në takimin e sotëm Komisioni dha vlerësimet e tij të hershme në bazë të misioneve vlerësuese të ndërmarra më herët gjatë vitit, si dhe dha një mundësi që delegacioni i Kosovës të japë plotësime me arritjet e fundit në përmbushjen e të gjitha blloqeve të Udhërrëfyesit për Liberalizim të Vizave.

Ministrja e Integrimit Evropian, Vlora Çitaku tha se, “sot kishim edhe një takim me Drejtorin e Përgjithshëm, z. Ruete, dhe zyrtarët tjerë të Komisionit Evropian, dhe u inkurajuam nga vlerësimet e tyre për arritjet që Kosova ka bërë së fundmi në përmbushjen e obligimeve të procesit të liberalizimit të vizave”.

“Është vlerësim i përbashkët se jemi në fazën përfundimtare të këtij dialogu. Është e rëndësishme që të vazhdojmë me performancën e lartë të institucioneve në nivel qendror dhe lokal që e drejta e udhëtimit të lirë e qytetarëve të Republikës së Kosovës të jetësohet pa vonesa të mëtejshme”, u shpreh ministrja kosovare.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme