Thaçi: PDK, mandatare për krijimin e qeverisë së re

Kryeministri i Kosovës, njëkohësisht kreu i PDK-së, Hashim Thaçi, ka reaguar një ditë pas marrëveshjes së tre partive opozitare të Kosovës për të formuar një mazhorancë qeveritare.

 Thaçi: PDK, mandatare për krijimin e qeverisë së re

Në një postim në faqen zyrtare në Facebook, Thaçi, partia e të cilit doli e para në zgjedhjet e së dielës, deklaroi: “Zgjedhjet e 8 qershorit kaluan si më të mirat e pasluftës dhe tek sa po numërohen edhe votat e fundit, është e qartë sot siç ishte e qartë edhe dje se mandatar i Qeverisë së ardhshme është partia fituese e zgjedhjee dhe koalicioni parazgjedhor prej Partisë Demokratike të Kosovës dhe koalicionit për Mision të Ri. Siguroj qytetarët dhe votuesit se ne do të fillojmë me Misionin e Ri – të zhvillimit ekonomik të vendit tone, sipas afateve ligjore dhe kushtetuese”.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, ende nuk i ka shpallur rezultatet përfundimtare pasi priten që përveç ankimimeve të numërohen edhe votat e ashtuquajtura me “kusht” apo dhe votat e diasporës. Në faqen e KQZ-së ku janë të publikuara rezultatet paraprake nga 99.83% e vendvotimeve theksohet: “Rezultatet Preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë edhe votat e personave me nevoja te veçanta”.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme