Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

Kosova, voton pas një jave në zgjedhje të parakohshme parlamentare

Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme

Kosova hyri të dielën në muajin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 8 qershorit, pas një jave me shumë premtime në fushatën 10-ditëshe të nisur zyrtarisht në 28 maj, e si “parafushatë” më herët, madje edhe pa u shpallur dita e votimeve.

PDK me “Misioni i ri”, LDK me “Vetëm ne mundemi”, LVV me “Tash ka shpresë”, AAK me “Drejtimi i ri” dhe AKR me “Na kryejmë punë”, renditur sipas rezultateve të subjeteve në zgjedhjet e kaluara parlamentare, kanë nominuar edhe pesë kandidatët e tyre për kryeministër të Kosovës: Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Albin Kurti, Ramush Haradinaj dhe Behgjet Pacolli.

Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit për deputetë të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh garojnë gjithsej 30 subjekte politike me 1.235 kandidatë, nga të gjitha komunitetet, ndërsa fushata zgjedhore po zhvillohet edhe këtë të diel, pa pushim.

Lista përfundimtare e votuesve përmban 1.782.454 emra, të ndarë në 38 komuna, mes tyre 33.735 votues të rinj që do të votojnë për herë të parë. Lista, e bazuar në Ekstraktin e Regjistrit Civil, është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili ka miratuar edhe përmbajtjen dhe dizajnin e fletëvotimit dhe është mobilizuar në sfidën e kohës së shkurtër vetëm 30-ditëshe për përgatitjet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të pas vendimit të Kuvendit për vetëshpërndarje.

Kosova, 15 vjet e lirë nga qershori 1999 dhe e pavarur 6 vjet nga 17 shkurti 2008, në 8 qershor 2014 mban zgjedhjet parlamentare, të pestat në liri, të dytat në pavarësi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme