Ambasadorët e BE-së në Shqipëri, apel për bashkëpunim mes palëve

Qeveria dhe opozita duhet të gjejnë frymën e bashkëpunimit, pasi marrja e statusit kandidat varet nga kjo çështje, deklaroi të enjten Massimo Gaiani, ambasadori italian në Shqipëri, gjatë një aktiviteti në Fototekën “Marubi” në Shkodër.

Ambasadorët e BE-së në Shqipëri, apel për bashkëpunim mes palëve

“Raporti i Komisionit Evropian do të jetë teknik”, tha ambasadori Galiani, i cili, duke u ndalur tek protestat, që po zhvillohen nga të larguarit nga puna dhe ish- të përndjekurit, theksoi se ato zhvillohen për një qëllim të caktuar.

Ndërsa ambasadorja çeke, Bronislava Tomasova, ka komentuar situatën politikë në Shqipëri duke theksuar se në çdo vend ka pozitë dhe opozitë, por forcat politike bashkëpunojnë. Tomasova komentoi gjatë në një takim me studentë në zyrën e Bashkimit Evropian në Shkodër. Ajo theksoi se polarizimi i shoqërisë dobëson pozitat e saj në integrimin në Bashkimin Evropian.

“Jeni në dijeni që Komisioni Evropian po punon për përgatitjen e një raporti, që pritet të publikohet javën tjetër, në qershor, në kuadër të takimit të nivelit të lartë të dialogut politik. Siç e kam theksuar dhe më parë polarizimi i shoqërisë dhe siç e nënvizova, është një shenjë dobësie e shoqërisë shqiptare se ky fenomen e dobëson procesin e integrimit dhe përpjekjet, që bën Shqipëria në procesin e integrimit. Shqipëria do ishte më afër BE-së nëse ky element i shoqërisë do ishte eliminuar. Në çdo shoqëri demokratike ka një pjesë, që qeveris dhe një pjesë, që bën opozitën dhe është e vërtetë, që mes opozitës dhe pozitës ka disa elementë apo subjekte, që bëjnë pikën e kundërshtisë mes palëve”, u shpreh ambasadorja çeke.

“Por ka dhe fusha të tjera, për të cilat qeveria dhe opozita bashkëpunojnë. Bashkëpunimi nevojitet gjithmonë, sepse nuk duhet që qeveria të thotë gjithmonë A dhe opozita të thotë B, pra mes tyre duhet të ekzistojë një frymë më e madhe bashkëpunimi. Duhet që politikanët të përfaqësojnë më shumë interesat e vendit se ato personale dhe për këtë është e nevojshme një ndjenjë e fortë bashkëpunimi në shoqëri”, tha Tomasova.

Ndërsa ambasadori polak, Marek Jeziroski, i pranishëm në një aktivitet në Korçë, vuri në pah se Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishme drejt statusit. Jeziroski theksoi se Polonia do të ofrojë mbështetjen e saj dhe do ta përkrahë Shqipërinë në këtë nismë, duke shtuar se vendi është në rrugën e BE-së.

“Shqipëria është në prag të një vendimi në qershor. Në dhjetor u identifikuan disa prioritete”, tha Jeziroski, duke shtuar se partitë politike duhet të konfirmojnë që janë për integrimin. “Ka nevojë për bashkëpunim midis palëve”, shtoi ai.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme