Haxhinasto merr pjesë në Forumin ndërkombëtar të Transportit

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, mori pjesë në samitin vjetor të Forumit Ndërkombëtar të Transportit, në Leipzig të Gjermanisë.

Haxhinasto merr pjesë në Forumin ndërkombëtar të Transportit

Forumi Ndërkombëtar i Transportit është organizata më e rëndësishme me pjesëmarrje të përbotshme, ku përcaktohen direktivat kryesore të zhvillimit të tij. Në takim merrnin pjesë shumë ministra nga 54 vendet anëtare të tij.

Gjatë qëndrimit të tij në Leipzig, ministri Haxhinasto zhvilloi një takim me ministrin gjerman të Transportit dhe Infrastrukturës Digjitale, Aleksandër Dobrindt, nga i cili mori mbështetjen për bashkëpunim të ngushtë për reformat dhe zhvillimet infrastrukturore në Shqipëri, si pjesë integrale të rrjeteve evropiane të transportit. Dobrint u shpreh optimist për mundësinë e asistencës teknike nga ekspertët politikbërës gjerman ndaj reformave të domosdoshme për sektorin e transportit dhe infrastrukturës shqiptare.

Gjithashtu, Haxhinasto zhvilloi një takim bilateral me ministrin e Transportit të Katarit, Jassim Seif Ahmed Al Sulaiti, në vijim edhe të vizitës së delegacionit shqiptar zhvilluar një muaj më parë në Doha, me të cilin u ra dakord vlerësimi nga një grup ekspertësh të potencialit zhvillimor të infrastrukturës shqiptare, për mundësi përfshirjen në investime në Shqipërsi.

Në një tjetër takim, me ministrin turk të Transportit, Elvan Lytfi, ministrit Haxhinasto iu rikonfirmua gadishmëria e Turqisë për bashkëpunim për projektet prioritare për Shqipërinë, si ndërhyrjet në rrugë për rritjen e sigurisë rrugore, projektin e rehabilitimit të rrjetit hekurudhor kombëtar dhe procesin e përmirësimit të kapaciteteve të porteve shqiptare.

Gjate samitit, ministri Haxhinasto u takua edhe me ministrat homologë të Francës, Britanisë, Kanadasë, Zelandës së Re, si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të Forumit, Jose Veigas.

Haxhinasto i njohu ata me prioritetet e reformimit të sistemeve të transportit në Shqipëri, veçanërisht tek rritja e sigurisë rrugore e sinjalistika, tek përmirësimi i transportit publik dhe zhvillimi i mëtejshëm i projekteve ndërkufitare, veçanërisht në lidhjet hekurudhore me vendet fqinje.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme