Prishtina zyrtare, mbledhje para seancës së nesërme të Kuvendit

Prishtina zyrtare, mbledhje para seancës së nesërme të Kuvendit

Qeveria e Republikës së Kosovës, drejtuar nga Kryeministri Hashim Thaçi, zhvilloi sot një mbledhje para seancës së nesërme plenare të Kuvendit të Kosovës, ku në agjendë është Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që ndërlidhen me mandatin e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Republikën e Kosovës (EULEX).

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi propozoi për ratifikim Projektligjin e Marrëveshjes Ndërkombëtare mes Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Rendit dhe Ligjit në Kosovë, të cilin qeveria e miratoi njëzëri. Ratifikimi pritet në seancën e nesërme plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Kryeministri Thaçi tha se është edhe një çështje jashtëzakonisht me rëndësi për shtetin e Kosovës dhe të ardhmen euroatlantike, duke theksuar se qeveria ka kohë që ka marrë vendim për themelimin e Ushtrisë së Kosovës - Forcave të Armatosura dhe se votimi për këtë do të duhej të ndodhë në Kuvend, pa humbur më tej kohë ditët e ardhshme, pa humbur edhe shansin historik.

“Ushtria është e të gjithëve, e të gjithë qytetarëve të Kosovës, prandaj ftoj gjithë spektrin politik, gjithë deputetët pa asnjë dallim, pa dallime etnike, le ta fusin në rend dite Kryesia e Kuvendit, le ta votojnë për të mirën e shtetit tonë, institucioneve tona, për të mirën e së ardhmes sonë”, u shpreh Kryeministri Thaçi në mbledhjen e qeverisë së Kosovës.

Kuvendin e Kosovës para shpërbërjes drejt zgjedhjeve parlamentare e presin vendime të rëndësishme, duke nisur nga seanca plenare e nesërme.

Kryeministri Hashim Thaçi, i pyetur se a do të ketë shpërndarje të Kuvendit këtë javë, ka thënë të dielën se më parë duhet të kalohen çështje të rëndësishme për shtetin e Kosovës.

“Gjithë spektri politik kosovar është në një zhvillim të debateve të brendshme, që do të çojnë drejt vendimmarrjeve të rëndësishme në veçanti për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës - Ushtrisë së Kosovës, për ligjin e ri zgjedhor, gjithashtu edhe të votimit të Gjykatës Speciale dhe pastaj do të shohim hapat e përbashkët që do të ndërmarrë skena politike kosovare. Pra, duhet të kalohen këto çështje, të cilat janë të rëndësishme, jetike, për shtetin dhe shoqërinë kosovare”, është përgjigjur Kryeministri Thaçi.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme