Kodheli: Shqipëria dhe Greqia, faktor paqeje në rajon

Ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë, Mimi Kodheli, priti sot në një takim të veçantë znj. Fotini Gjenimata, ministre plotësuese e Mbrojtjes e Republikës së Greqisë, e cila, në krye të një delegacioni, ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare.

Kodheli: Shqipëria dhe Greqia, faktor paqeje në rajon

Gjatë takimit ministrja Kodheli e njohu Gjenimatan dhe delegacionin grek me zhvillimet e fundit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes, si dhe me hapat e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për plotësimin e reformave jetike për mbrojtjen.

Nga ana e saj, ministrja plotësuese e Mbrojtjes së Greqisë, Gjenimata, falënderoi ministren Kodheli për pritjen, si dhe shprehu vullnetin e qeverisë greke që marrëdhëniet mes dy vendeve të vazhdojnë të jenë të shkëlqyera në fushën e mbrojtjes, si dy vende partnere në rajon dhe anëtare të NATO-s. Ministrja Gjenimata theksoi faktin se Shqipëria dhe Greqia kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë faktorë paqeje dhe stabiliteti për rajonin.

Dy bashkëbisedueset shprehën vullnetin për forcimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si në atë të trajnimit dhe edukimit, sidomos për sektorë specifikë të Mbrojtjes.

Në fund të takimit mes dy delegacioneve u nënshkrua Plani i Bashkëpunimit Shqipëri-Greqi në fushën e Mbrojtjes për vitin 2014.

Po sot, ministrja plotësuese e Mbrojtjes së Greqisë, Gjenimata pati një takim edhe me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Jeronim Bazo.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme