Statusi i Shqipërisë, objektivi i Presidencës greke

Meimarakis: Objektiv i Presidencës greke, Shqipëria të marrë statusin në qershor

Statusi i Shqipërisë, objektivi i Presidencës greke


“Ndër objektivat e presidencës greke, është që Shqipëria të marrë statusin kandidat brenda qershorit”, deklaroi sot Kryetari i Parlamentit të Greqisë, Evangelos Meimarakis, i cili po zhvillon një vizitë dy ditore në Tiranë me ftesë të Kryeparlamentarit Meta.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, Meimarakis u shpreh se “Greqia kaloi një periudhë të vështirë që shumë dyshonin nëse Greqia do ta kalonte. Por, me vullnetin dhe sakrificat e qytetarëve, ne ia dolëm mbanë dhe i përgënjeshtruam të gjithë ata skenarë që ishin hedhur në qarkullim si për daljen e Greqisë nga zona e euros”.

Ai theksoi se ne, jo vetëm që nuk dolëm nga zona e euros, por sot kemi edhe Presidencën e BE-së dhe siç të gjithë e pranojnë, e ushtrojmë atë me dinjitetin e një vendi siç e meriton dhe brenda atyre objektivave të Presidencës sonë, është e qartë që një objektiv është që edhe Shqipëria të ketë deri në qershor një raport pozitiv për të marrë statusin kandidat”.

Kryeparlamentari grek e konsideroi me rëndësi që “i gjithë ky rajon i trazuar i Ballkanit duhet të integrohet qoftë në BE, qoftë në NATO derisa të plotësohen të gjitha kushtet e fqinjësisë së mirë, kuptohet, sepse integrimi do të ndihmojë stabilitetin, sigurinë dhe zhvillimin e rajonit”.

”Siç ndihmuam që Shqipëria të anëtarësohet në NATO, me më shumë forcë e dëshirë do të bëjmë ç’është e mundur që ajo të bëhet kandidate për në BE brenda presidencës sonë. Ne me këtë vizitë japim mesazhi optimizmi se marrëdhëniet tona dypalëshe janë të shkëlqyera,karakterizohen si marrëdhënie strategjike, se dy vendet tona kanë mundësinë dhe duhet të bashkëpunojnë më sinqeritet për të mirën e qytetarëve, për të mirën e zhvillimit dhe ka shumë rëndësi që këtë mesazh ta japim ne, kryetarët e Parlamenteve”, deklaroi Meimarakis .

Ai shtoi se “me shumë respekt dhe emocion i drejtohem Parlamentit të Shqipërisë, sepse në çdo Parlament dëgjohet zëri i pastër i qytetarëve, ne jemi zëri i qytetarëve, ne jemi ata që ushtrojmë presion pozitiv mbi qeveritë tona, prandaj përgjegjësia e Parlamenteve ka shumë rëndësi në funksionimin e republikave parlamentare. Dhe gëzohem shumë që Kryetari i Parlementit të Shqipërisë është një personalitet i rëndësishëm, ashtu si ju z.Kryetar, që mund të përafroni të gjitha këto pikëpamje”.

“Janë të vështira orët për parlamentet tona, ato janë të detyruara të marrin vendime që në mënyrë afatgjatë do të japin ndikime të vlefshme, por në këndvështrimin afatshkurtër kanë ndikim negative, ndaj ne nuk duhet vetëm të vëmë vulën, por të jemi aktivë duke marrë pjesë në marrjen e vendimeve”, nënvizoi Meimarakis.

Duke iu referuar Konferencës së 12 të kryeparlamentarëve të Nismës Adriatiko-Joniane, që do të zhvillohet nesër në Tiranë, ai uroi që “konferenca të ketë atë sukses që ne e presim”.

” Qysh sot ne do kemi kontaktet tona për takimet që do të kenë komisionet parlamentare në mënyrë që ky bashkëpunim të shkojë sa më përpara. Unë jam i gëzuar të sjell këtu edhe mendimin pozitiv të të gjithë partive politike në Greqi për të pasur marrëdhënie të shkëlqyera me Greqinë,” përfundoi kryeparlamentari grek.

Gjatë vizitës së tij në Tiranë, Presidenti i Parlamentit të Greqisë, Evangelos Vasileios Meimarakis do të takohet me krerët më të lartë të vendit, Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeministrin e Shqipërisë , Edi Rama dhe Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.



Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme