STAMBOLLI, KRYEQYTETI I KULTURËS 33

Muzetë e Stambollit, pasqyra e akumulimit historik, kulturor dhe artistik

Stambolli, Kryeqyteti i Kulturës 33
Postuar më 14.08.2009 07:25:10 UTC
Përditësuar më 14.08.2009 12:30:11 UTC

Muzet e qyteteve janë pothuajse pasqyra e akumulimit të madh të historisë, kulturës dhe artit të atij qyteti. Në procesin e përgatitjes së Stambollit për Kryeqytet Evropian të Kulturës për vitin 2010 bën pjesë edhe rregullimi i muzeve ekzistuese dhe themelimi i muzeve të reja.

 

Punimet e para në fushën e  muzeve në Turqi kanë nisur në shekullin e 19-të në kishën Shën Irini nga ana e Ahmet Fethi Pashës. Ndërsa zhvillimet më kryesore në fushën e muzeut janë vërejtur pas sjelljes në krye të muzeve të perandorisë të arkeologut dhe piktorit Osman Hamdi Beu. Osman Hamdi Beu gjatë rregullimit të koleksionit të veprave përdori metoda shkencore me anën e të cilave soli një dimension të ri në fushën e muzeut. Ai  solli në Stamboll veprat që dolën nga gërmimet në Nekropolin (varrezat) e Mbretit Sidon, që pranohen si zbulimi më i madh i asaj kohe dhe që u zhvilluan në vitet 1887-1888. Ndër këto vepra ishin edhe sarkofagu i njohur i Aleksandrit të Madh dhe sarkofagu i Grave që Qajnë. Për ekspozimin e veprave, të cilat për një kohë mbetën në Pallatin e veshur me fajanca (Çinili Köşk), u ndje nevoja për një godinë të re. Për shkak të kësaj Osman Hamdi Beu përballë pallatit të veshur me fajanca, që gjendet brenda mureve rrethues të Pallatit Topkapi, ndërtoi godinën e muzeut të parë. Kjo godinë u quajt Muze-i Hymajun (Müze-i Hümayun), që do të thotë Muzeu i Perandorisë, dhe në vitin 1891 hapi dyert për vizitorët. Duke shpjeguar të kaluarën e Stambollit nuk mund të mos përmendim muzetë e tij, ndër to edhe muzetë arkeologjike. Historia e këtyre muzeve, që në fushën e muzeut në botë tregohet si shembull, fillon me ndërtimin e godinës së parë të muzeut nga ana e Osman Hamdi Beut. Sot duam që këtë histori ta ndajmë shkurtimisht edhe me juve.         

 

Godina e parë e muzeut që zë vend në fund të tatëpjetës së Osman Hamdi Beut që të shpie në Muzeun e Pallatit Topkapi u zgjerua në vitet 1902 dhe 1908 me pjesët e majtë dhe djathtë, ndërsa më vonë u zgjerua me një godinë të madhe moderne. Arkitektura e godinës u projektua nga arkitekti i shquar i asaj kohe Aleksandër Vallori (Alexandre Vallaury). Arkitekti me prejardhje franceze i lindur në Stamboll ka projektuar një numër të madh të veprave monumentale të qytetit siç janë Banka Osmane, Liceu i Hajdarpashës, Liceu i Stambollit për Djem dhe Pallati Pera Palas.   

 

Gjatë punimit të fasadës së Muzeut të Perandorisë arkitekti i frymëzua nga sarkofagu i Aleksandrit të Madh dhe sarkofagu i Grave që Qajnë. Muzeu është i ndërtuar me stilin neo-klasik dhe është njëri prej shembujve më të mirë të këtij stili. Veçanërisht, si njëri prej 9-10 muzeve të ndërtuar në atë kohë ka një vlerë të madhe. Kjo godinë dhe anekset e saj si Muzeu i Veprave Antike Orientale dhe Muzeu i Pallatit të Veshur me Fajanca gjatë periudhës së Republikës u quajt Muzeu Arkeologjik i Stambollit. Muzetë Arkeologjike të Stambollit, të cilat në vitin 1993 u zgjodhën si Muzetë e vitit në Evropë dhe fituan “Çmimin e Këshillit Evropian për Muzetë”, me më shumë se 1 milion vepra kanë zënë vend ndër muzetë më të mëdhaja të botës. Në koleksionin e muzeut përfshihen edhe veprat që i përkisnin civilizimeve të ndryshme prej Ballkanit e deri në Afrikë, prej Anadollit dhe Mesopotamisë e deri në Gadishullin Arabik dhe Afganistan, përfshirë këtu edhe Perandorinë Osmane.

Godina kryesore e muzeut quhet Njësia e Arkeologjisë Klasike. Në katin e parë të muzeut dykatësh gjenden sarkofaget e njohura të varreve të mbretërve Sajdan. Veçanërisht janë të ekspozuara shembujt e zgjedhura të zhvillimit historik të artit të skulpturave të periudhës Arkaike e deri në periudhën Bizantine. Në ekspozitat në katin e epërm janë të ekspozuara vepra të vogla të gurit, poçeri dhe enë balte dhe skulptura të vogla të punuara nga dheu i pjekur. Prapë këtu, gjendet njësia e thesarit, monedhat e kohës islame dhe joislame dhe biblioteka me rreth 70 mijë libra. Godina shtesë e muzeut është 6 katëshe. 2 katet e godinës përdoren si depo, ndërsa katet e tjera përdoren për ekspozimin e veprave. Krahas sallonëve të ekspozitave të quajtura “Stambolli në Epoka” (Çağlarboyu İstanbul), Anadolli dhe Troja në Epoka (Çağlarboyu Anadolu ve Troia), “Kulturat Fqinje të Anadollit”: Qipro, Siri-Palestinë (Anadolu’n Çevere Kültürleri: Kıbrıs, Suriye-Filistin) dhe Kulturat Fqinje të Stambollit (İstanbunl’un Çevre Kültürleri) gjendet edhe një Muze për Fëmijë.       

 

Edhe Muzeu i Veprave Antike Orientale, sikurse pjesa kryesore që njihet edhe si Njësia e Arkeologjisë Klasike, u ndërtuan nga ana e Osman Hamdi Beut në vitin 1883. Arkitekt ka qenë përsëri Vallori. Kjo pjesë, të cilën Hamdi Osman Beu e ndërtoi si Shkollë të Arteve të Bukura, u përdor si një shkollë e cila me vite nxorri arkitektë dhe artistë. Arkitekt Vallori punoi këtu si mësues. Në vitet 1917-1919 pas transferim të shkollës në një godinë tjetër, ndërtesa u përdor si një muze ku ekspozoheshin  dokumente të kulturës së Lindjes së Afërt. Godina, e cila në vitin 1963 u mbyll për vizitorët, u rihap me një ekspozitë të re në vitin 1974. Ekspozita përbëhej prej veprave të sjella nga Egjipti dhe Lindja e Mesme, që në atë kohë ishin nën administrimin osman. Në këtë muze ruhen edhe 75 mijë vepra të shkrimit “kuneiform” dhe “Arkiva e Tabletëve”.     

 

Pallati i Veshur me Fajanca, njëri prej Muzeve Arkeologjike të Stambollit, u ndërtua në shekullin e 15-të. Në godinën e vetme të Stambollit, e cila kishte arkitekturë civile Osmane, duket ndikimi i arkitekturës së kohës së Selçukve. Mund të themi që karakteristikat më të mëdha të kësaj godine janë fasada dhe një lloj oborri, sipërfaqja e brendshme e ejvanit të madh dhe një pjesë e dhomave të mbuluara me fajanca. Në këtë godinë historike, e cila filloi të përdoret si muze në vitin 1880, krahas veprave arkeologjike ekspozoheshin edhe veprat islame. Ndërsa në vitin 1939 lidhet me Muzeun e Pallatit Topkapi dhe veprat antike shpërndahen nëpër muzetë tjera. Me një riparim të kryer në 500 vjetorin e marrjes së Stambollit, Pallati i veshur me fajanca hyri në shërbim me emrin Muzeu i Fatihut. Pas një kohe muzeu përdoret për ekspozimin e fajancave turke, islame dhe osmane. Me këtë formë i është bashkangjitur Muzeve Arkeologjike të Stambollit, ku vazhdoi ekspozimi i veprave të llojit të njëjtë. Sot Pallati i veshur me fajanca, që i dëshmoi historisë për shekuj, është interesant dhe i vlefshëm sa vet veprat që gjenden brenda tij. Muzeu vazhdon ti rezistojë kohës me riparime të herë pas hershme.

 

Muzetë Arkeologjike të Stambollit, të cilat u munduam tju shpjegojmë shkurtimisht, janë zgjedhur si muzetë pilot mes shumicës së muzeve që do të merren parasysh në vitin 2010. Synohet që muzeu të rregullohet në mënyrë që të dalë në pah si një muze i perandorisë dhe pritet të ketë shumë vizitorë.