Postuar më 09.09.2010 22:47:10 UTC
Përditësuar më 09.09.2010 22:47:10 UTC
Ardhja e stinës së vjeshtës, me fillimin e luhatjeve të temperaturave, rishfaq probleme me sinozitët, sidomos tek ata kronikë, ndaj mjekët këshillojnë personat që shfaqin shenja të rrufës, karakteristike në këtë periudhë, të drejtohen tek mjeku, pasi nëse zgjasin më shumë se rreth dy javë duhet menduar për sinozit.
"Ndërrimi i klimës ndikon në shfaqjen e rrufës, që njihet si një nga shkaktarët e pezmatimit të mukozës së hundës dhe rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, me pasojë dhe riakutizimin e simptomave të sinozitit", pohojnë mjekët otoriono-laringologë. Sipas tyre, ky është edhe sinozoti më i përhapur dhe që haset rëndom tek pacientët e prekur nga kjo sëmundje.
Sipas mjekëve, sinozitët krijohen edhe nga sëmundje të ndryshme infektive, si skarlatina, tifo, pneumonia, por edhe nga dhëmballët e sëmura.
Përsa i përket ekzaminimit, është mjeku ai që vendos diagnozën, duke u bazuar në mënyrën e fillimit të sëmundjes, në shenjat subjektive të të sëmurit. Këshillohet që mjekimi të bëhet korrekt, sepse nëse nuk ndodh kjo atëherë krijohen vështirësi në mjekim dhe kërkohet operacion kirurgjikal.
"Shenjat subjektive të sinozitit janë nga më të ndryshmet, duke filluar që nga çrregullime të gjendjes së humorit, lodhje dhe paaftësi në punë. Por mund të shfaqen edhe probleme në pamje dhe në nuhatje", thonë mjekët, të cilët pohojnë se ankesa kryesore është dhimbja në ballë, faqe, dhëmbë, etj. Dhimbja e kokës në sinozitet e mprehta është gjithmonë prezent, ndërsa në sinozitet e vjetra mund të mungojë.
Sekrecionet ose rrjedhja e hundës është shenjë tjetër e sinozitëve, por mund të shfaqet bllokimi i hundëve dhe flluska në hyrje të hundës në varësi nga gjendja e përgjithshme e organizmit, e cila është e kompromentuar dhe manifestohet dhe me temperaturë.
Mjekët këshillojnë se në rast se i sëmuri vuan nga rrufa dhe kjo zgjat deri në dy javë duhet menduar për sinozit. Por, një rëndësi të veçantë merr sinoziti i mprehtë i qelbëzuar tek fëmijët e vegjël, madje edhe tek të porsalindurit.
Sinozitët me origjinë nga hundët e sëmura favorizohen nga rritja e mishit të huaj, nga shtrembërimet e perdes kockore të hundës, po kështu dhe nga procese që mund të ndodhin në zgavrat e hundës, të cilat në mënyrë mekanike pengojnë zbrazjen normale të lëngjeve të sinusit në hundë. Këto ndryshime të sinusit shoqërohen me pagjumësi, ashtu si dhe rrufa, sqarojnë mjekët.