"The Washington Post" publikon fotografinë e gazetarit Jamal Khashoggi duke hyrë në Konsullatën saudite në Stamboll

Janë zbuluar pamjet e fundit të gazetarit të zhdukur saudit, Jamal Khashoggi, ndërkohë që fati i tij vazhdon ende të jetë një pikëpyetje e madhe.

E përditshmja "The Washington Post" ka publikuar fotografinë, që tregon hyrjen e Khashoggit në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll.

Fotografia në fjalë tregon gazetarin saudit, i cili hyn duke ecur vetëm në Konsullatë.

Teksa Khashoggi ndodhet përpara hyrjes së Konsullatës, prapa tij spikat një furgon i zi me targa diplomatike.

Në fotografinë e fundit të gazetarit të zhdukur duken qartë data dhe ora e hyrjes së tij në Konsullatë.

Gazetari saudit hyn në portën e Konsullatës në orën 13:14. Ndërsa data shënon 2 tetorin.

Kush ia ka dhënë të përditshmes amerikane këtë fotografi? Kjo nuk dihet ende.

Por që nga çasti që hyri në Konsullatën saudite, Jamal Khashoggi nuk është bërë më i gjallë.

Prokuroria e Stambollit është duke vazhduar hetimet e gjithanshme rreth fatit të Khashoggit, i cili pretendohet të jetë "vrarë".