ShBA paralajmëron Rusinë, Iranin dhe regjimin e Esadit për ofensivën në Idlib

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) sulmuan të martën në OKB Rusinë, Iranin dhe regjimin sirian, ndërkohë që ofensiva ushtarake vazhdon të rritet në provincën veriperëndimore të Sirisë, Idlib.

"Rusia, Irani dhe Esadi po e shkatërrojnë Idlibin, deri tanë kanë bërë më shumë se 100 sulme ajrore dhe na kërkojnë ta quajmë këtë paqe", tha Nikki Haley, e dërguara e ShBA-së në OKB në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit, mbajtur të martën me kërkesë të Rusisë.

Sipas agjencisë së mbrojtjes civile (Helmetat e Bardha) të paktën 30 civilë janë vrarë në Idlib dhe Hama dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga sulmet ajrore të regjimit dhe avionëve luftarakë rusë që nga fillimi i shtatorit.

OKB njoftoi të hënën se të paktën 30.000 banorë të Idlibit janë zhvendosur në nëntë ditët e para të këtij muaji për shkak të ofensivës ajrore, që avionët e regjimit të Esadit dhe ata rusë kanë ndërmarrë në këtë rajon.