MPJ turke: Regjimi dhe opozita realizojnë shkëmbimin e dytë reciprok të të ndaluarve në Siri

Ministria e Punëve të Jashtme të Turqisë publikoi të martën vonë një komunikatë me shkrim për lirimin e ndërsjellë të të ndaluarve në Siri si pjesë e Procesit të Astanës.

MPJ turke: Regjimi dhe opozita realizojnë shkëmbimin e dytë reciprok të të ndaluarve në Siri

“Si projekt i dytë i Grupit të Punës për Lirimin e të Burgosurve/Rrëmbyerve, Shkëmbimin e Kufomave dhe Identifikimin e Personave të Zhdukur, i cili u ngrit në kuadër të Procesit të Astanës me pjesëmarrjen e Turqisë, Federatës Ruse e Iranit, por edhe të Kombeve të Bashkuara, disa persona të paraburgosur nga grupet opozitare dhe regjimi u liruan në mënyrë reciproke dhe njëkohësisht më 12 shkurt 2019 në lagjen Abu al-Zindeen, në jug të Al-Babit të kontrolluar nga opozita.

Grupi i Punës do të vazhdojë aktivitetet e tij edhe gjatë periudhës në vijim”, thuhet në njoftimin për shtyp të MPJ turke.

Dy ditë përpara samitit që do të mbahet ndërmjet Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 14 shkurt, në qytetin bregdetar rus të Soçit, regjimi dhe grupet opozitare liruan reciprokisht nga 20 persona në vijën e frontit të lagjes Abu al-Zindeen të qytezës Al-Bab, nën garancinë e palës turke dhe ruse.

Forcat e regjimit morën në dorëzim 20 burra dhe liruan gjithashtu 20 të rritur, si edhe 2 fëmijë në përgjigje të kërkesës së opozitarëve.

Ky shkëmbim simbolik, i cili është cilësuar si “projekt pilot” nga Grupi i Punës për Lirimin e të Burgosurve/Rrëmbyerve, Shkëmbimin e Kufomave dhe Identifikimin e Personave të Zhdukur, themeluar me anë të marrëveshjeve të Astanës, është një prej vendimeve të Mbledhjes 10. të Garantuesve që u mbajt më 30-31 korrik 2018 në Soçi.

Shkëmbimi i parë qe realizuar më datë 24 nëntor 2018, ku palët patën liruar nga 10 persona secila.

Dihet që në burgjet e regjimit të Esadit mbahen me forcë të paktën 500.000 persona.

Mësohet se shkëmbimi është kryer si rezultat i hapave të bëra nga Turqia në kuadër të aktiviteteve të diplomacisë humanitare.



Lajme të ngjashme