Turizmi në Turqi – Manastiri i Virgjëreshës (Sumela)

Ky objekt kulti me një të kaluar 1.700-vjeçare është një prej manastireve historike më të vjetër dhe më të rëndësishëm në botë.

Sümela Manastırı.jpg
sümela manastırı.jpg
El monasterio aislado de todo: Sümela (Sumela)
SÜMELA (8).jpg
sümela manastırı gelinliğini giydi2.jpg

Turizmi në Turqi – Manastiri i Virgjëreshës (Sumela)

Në zonën gjeografike turke të Detit të Zi Lindor, mbi kreshtën shkëmbore të thepisur të Malit të Zi (Karadag), ngrihet një manastir madhështor: Manastiri i Virgjëreshës (Sumela).

Ky objekt kulti me një të kaluar 1.700-vjeçare është një prej manastireve historike më të vjetër dhe më të rëndësishëm në botë.

Sipas gojëdhënave, Manastiri i Virgjëreshës është themeluar nga dy priftërinj të ardhur nga Athina në shekullin e 3-të, pra, në periudhën bizantine.

Me kalimin e viteve, ai është bërë përherë e më i rëndësishëm, është pasuruar me të ardhura të reja dhe është zgjeruar me pjesë të tjera sidomos në shekullin e 13-të.

Pas shtrirjes dhe konsolidimit të sovranitetit turk në brigjet lindore të Detit të Zi, sulltanët osmanë kanë marrë nën mbrojtje edhe të drejtat e Sumelasë, sikurse dhe të shumë manastireve të tjera, madje duke i njohur atij disa privilegje.

Në shekullin e 18-të, manastiri i është nënshtruar një rinovimi të përgjithshëm dhe disa mure të tij janë zbukuruar me afreske. Kurse në shekullin e 19-të, pasi iu shtuan ndërtesat e mëdha, ky manastir ka marrë një pamje madhështore duke shënuar edhe periudhën e tij më të pasur dhe më ndritur. Gjatë pushtimit 2-vjeçar rus që filloi në vitin 1916, manastiri u konfiskua. Ndërsa pas vitit 1923 ai u evakuua plotësisht.

Manastiri i Virgjëreshës ka qenë një qendër kulti e rëndësishme dhe njëherësh një shkollë e famshme murgjish për shekuj me radhë.

Pjesët kryesore të Manastirit të Virgjëreshës janë: Kisha Shkëmbore e Nënës, disa shapela, kuzhina, dhomat e murgjve, bujtina, biblioteka dhe burimi i shenjtë (jetëdhënës). Muret e kishës dhe shapelës ngjitur saj janë zbukuruar me afreske, të cilat trajtojnë kryesisht fragmente nga Ungjilli dhe jeta e Krishtit (Profeti Isaa.s.) dhe e nënës së tij, Shën-Mëria.

I njohur gjerësisht nga banorët e zonës me emrin e Shën-Mërisë, Manastiri i Virgjëreshës ndodhet në lokalitetin Maçka, brenda kufijve administrativë të provincës Trabzon, rreth 300 m mbi luginën e përroit Altindere.

Në vitin 2010, pas një ndërprerjeje 88-vjeçare, në këtë manastir kanë filluar të mbahen edhe mesha të përvitshme nën drejtimin e patrikut grek të Fanarit (Stamboll).

Manastiri i Sumelasë konsiderohet i shenjtë nga të krishterët dhe vizitohet çdo vit nga mijëra persona.

Nëse planifikoni të shkoni në këtë zonë të Turqisë për të parë Manastirin e Virgjëreshën, i cili mbart gjurmët e qindra viteve, ju këshillojmë të vizitoni gjithashtu liqenin Uzungol, i famshëm për bukuritë natyrore të tij, Muzeun e Shën-Sofisë së Trabzonit, si dhe Qoshkun e Ataturkut.

Gjithashtu ju sugjerojmë të mos ktheheni nga Trabzoni pa shijuar qoftet e Akçaabatit, troftën me salcë gjalpi, si dhe përvëlakun me miell misri dhe djathë tradicional (kuymak).

Mirupjekshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme