Turizmi në Turqi – Kapadokia

Vizitoni Kapadokian, ‘Atdheun e Kuajve të Bukur’, një zonë turistike turke e famshme për oxhaqet e zanave dhe shëtitjet me balonë, shumë të preferuara nga turistët.

kapadokya balon.jpg
KAPADOKYA.jpg
kapadokya8.jpg
kapadokya6.jpg
kapadokya1.jpg

Turizmi në Turqi – Kapadokia

Kapadokia është një prej zonave turistike më të rëndësishme të Turqisë.

Të pozicionuara në Anadollin Qendror, Goreme, Urgup, Uçhisar, Avanos, Derinkuyu, Kaymakli, Ihlara dhe rrethinat e tyre janë vetëm disa nga lokalitetet turistike unike në Kapadokia.

Themelet e Kapadokias, ku bukuritë natyrore janë të ndërthurura mrekullueshëm me historinë, janë hedhur nga lavat mijëra vite më parë, kur malet e Anadollit Qendror ishin ende vullkane aktive. Lavat kanë formuar në këtë zonë një shtresë shtufi, diku më të fortë dhe tjetërkund lehtësisht të thërrmueshme. Shirat, vërshimet, erërat dhe fenomenet e tjera natyrore kanë vepruar për mijëra vite mbi këtë shtresë shtufi duke i gërryer këta shkëmbinj dhe nxjerrë në pah mrekulli natyrore, të cilat më pas janë quajtur “oxhaqet e zanave”.

Përgjatë historisë, Kapadokia ka pritur shumë qytetërime të rëndësishme, ku vlen të përmenden sidomos asirianët, hititët dhe persët. Ajo ka qenë për një periudhë edhe nën sundimin romak. Në zonë është e mundur të shikosh gjurmët e të gjitha këtyre qytetërimeve, por edhe veprat e perandorive selxhukase dhe osmane.

Parkun Kombëtar të Goremes, i cili është i përfshirë qoftë në Listën e Trashëgimisë Kulturore ashtu edhe në atë Natyrore të UNESCO-s, krahas oxhaqeve magjepsëse të zanave, ju mund të vizitoni gjithashtu vendbanimet dhe kishat e të krishterëve të parë që janë strehuar në Kapadokia.

Vendet që duhen vizituar patjetër në Kapadokia janë luginat me bukuri të pashembullt, qytetet e nëndheshme sa të mistershme aq edhe mahnitëse, si dhe kalatë, kishat, xhamitë dhe atelietë e qeramikës.

Ne ju sugjerojmë ta shtoni Kapadokian në agjendën tuaj të udhëtimeve dhe ta shikoni sa më parë të jetë e mundur për të zbritur në thellësitë e historisë, për të marshuar në luginat e saj nën shoqërinë e oxhaqeve të zanave, për të ndjekur gjurmët e së kaluarës dhe për t’u magjepsur nga bukuri natyrore unike.

Po ashtu ju këshillojmë të bëni një shëtitje me balonë, e cila ofron shansin për ta parë të gjithë Kapadokian nga ajri dhe për të fituar një eksperiencë të paharrueshme.

E pasi të shëtisni, sigurisht që do t’ju marrë uria. Prandaj mos u largoni nga Kapadokia pa shijuar qebapin e poçes, çomlekun, byrekun e trëndafilit, supën e dasmës dhe hasudenë tradicionale të zonës.

Mirupjekshim në destinacionin e radhës!

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme