Takimi turko-rus përcaktoi kufijtë e zonës së çarmatosur në Idlib

Ministria Mbrojtjes Kombëtare deklaroi të premten se në fund të takimit treditor me delegacionin rus (19-21 shtator) u përcaktuan kufijtë e zonës që do të çarmatoset në Idlib të Sirisë.

Takimi turko-rus përcaktoi kufijtë e zonës së çarmatosur në Idlib

Deklarata përmend memorandumin e firmosur pas takimit në qytetin Soçi të Rusisë me pjesëmarrjen e Presidentit Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) dhe Kryetarit të Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin për stabilizimin e situatës në Zonën e Reduktimit të Tensionit në Idlib të Sirisë.

Në datat 19-21 shtator në Ministrinë e Mbrojtjes Kombëtare në Ankara u mbajt një mbledhje me delegacionin rus për të diskutuar parimet e zbatimit të marrëveshjes së arritur në Soçi.

"Janë përcaktuar kufijtë e zonës që do të çarmatoset në Idlib duke marrë në konsideratë strukturën gjeografike dhe karakteristikat e zonave të banuara”, vazhdon deklarata e Ministrisë.

Ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov në deklaratën që bëri të premten nga kryeqyteti i Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevë, njoftoi marrëveshjen e arritur me Turqinë për kufirin e përpiktë të zonës së çarmatosur në Idlib.

Rreziku kryesor që kërcënon tërësinë territoriale të Sirisë është pjesa lindore e Lumit Eufrat, ku grupet ushtrojnë aktivitet të jashtëligjshëm nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Marrëveshja që ka bërë Rusia me Turqinë për Idlibin para së gjithash është një marrëveshje që synon eliminimin e kërcënimit terrorist”,- theksoi Lavrov.

Marrëveshja në fjalë u arrit pas një takimi në Soçi më 17 shtator midis presidentit turk Rexhep Tajip Erdoan dhe homologut të tij rus Vladimir Putin dhe përcaktonte krijimin e një zone të çarmatosur 15-20 kilometra në Idlib.

Ankaraja dhe Moska gjithashtu nënshkruan një memorandum mirëkuptimi që bën thirrje për "stabilizimin" e zonës së çtensionuar të Idlibit, në të cilën aktet e agresionit janë shprehimisht të ndaluara.

Sipas Memorandumit të Mirëkuptimit, grupet e opozitës në Idlib do të mbeten në vendet ku janë të pranishme aktualisht.

Ndërkohë, forcat ushtarake turke dhe ruse do të kryejnë patrullime të përbashkëta përgjatë perimetrit të zonës me qëllim parandalimin e çdo rasti që do të sillte rifillimin e luftimeve.

E vendosur në afërsi të kufirit turk, Idlibi është strehë për më shumë se tre milionë sirianë, shumë prej të cilëve kanë ikur nga qytete të tjera të vendit për shkak të sulmeve të forcave të regjimit.

Regjimi sirian njoftoi muajin e kaluar planet për të nisur një ofensive të madhe ushtarake në këtë rajon, të kontrolluar nga grupe të ndryshme të armatosura të opozitës.

Por, OKB-ja paralajmëroi se një ofensivë e tillë do të çonte në "katastrofën më të keqe humanitare të shekullit të 21-të".

 


Lajme të ngjashme