Dronët kombëtarë dhe unikë të Turqisë

Turqia vazhdon të përsosë teknologjinë e saj në prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot (dronë) për qëllime të ndryshme taktiko-ushtarake.

Selçuk Bayraktar_iha.jpg
efes-2018 bayraktar tb2.jpg
bayraktar insansiz hava araci 1.jpg
Bayraktar
SİHA.jpg
SİHA.jpg

Turqia prodhon me mundësitë e veta dronët kombëtarë dhe unikë

Nga Tarkan ZENGİN*

Mjetet ajrore pa pilot (UAV), kombëtare dhe unike, bashkë me dronët (UAV) e armatosur që prodhohen në industrinë e mbrojtjes, kanë bërë që Turqia të hyjë në mesin e vendeve të pakta në botë në këtë fushë. 

Turqia, ndërsa nga njëra anë prodhon produkte strategjike me rëndësi kritike në fushën e mbrojtjes, nga ana tjetër ajo ecën me hapa të sigurt drejt të ardhmes duke i prodhuar me mundësitë e veta dhe kombëtare produktet e mbrojtjes, të cilat do ta dallojnë vendin edhe në konkurrencën globale. Arritjet në këtë fushë Turqia i ka siguruar me politikat e pavarura që ka ndjekur, ndërsa me prodhimet që shet, ajo siguron të hyra të rëndësishme në ekonominë e vendit. Historia e Turqisë për prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot (UAV), në një aspekt është historia e shpëtimit nga varësia (e jashtme) dhe sigurimit të përfitimeve të reja për ekonominë e vendit. Avionët e parë pa pilot (dron) që në inventarin e Turqisë kanë hyrë në vitet 1990 kanë qenë modelet “Heron”, prodhim izraelit dhe “GNAT”, prodhim amerikan. Kurse për avionët e telekomanduar të armatosur tip “Predator” dhe “Reaper”, të cilët janë versione më të përparuara të modelit GNAT, në vitet 2000 Kongresi amerikan nuk lejoi që këta ti shiteshin Turqisë. Pas këtij zhvillimi Turqia hyri në procesin e prodhimit të mjeteve të saj ajrore kombëtare. Mjetet ajrore pa pilot (IHA) që përdoren sot në Turqi janë “Anka” dhe “Bayraktar”, të cilët janë prodhim vendor dhe kombëtar.  

Mjetet ajrore pa pilot, që prodhohen në industrinë e mbrojtjes me armatim (SIHA) dhe pa armatim (IHA), e kanë renditur sot Turqinë në mesin e vendeve të pakta në botë të afta në këtë fushë. Sot Turqia ka një fuqi njerëzore efektive që punon në fushën e teknologjisë kombëtare. Dëshmojmë atë se çfarë janë në gjendje të bëjnë të rinjtë turq kur u jepet shansi. Sektori i mbrojtjes është një sektor, i cili mund të japë rezultate duke punuar me durim për një kohë të gjatë dhe duke i vendosur vetes objektiva afatgjatë. Suksesi i arritur dekadën e fundit në prodhimin e mjeteve ajrore të telekomanduara (IHA dhe SIHA) është rezultat i ndjekjes së këtyre objektivave strategjike afatgjata.

Selçuk Bayraktar nga grupi i kompanive “Bayraktar”, i cili ka realizuar projekte të rëndësishme në prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot (IHA dhe SIHA) e tregon kështu historinë e suksesit: "Historia e Turqisë në prodhimin e avionëve pa pilot filloi me Mini-IHA, të cilët lëshoheshin me dorë. Duke filluar që nga dronët Mini-IHA, bashkë me ekipin tonë ne kemi punuar gjithmonë në terren me ushtarakët, kemi punuar në bazat, zonat ku fluturonin e përdoreshin këta avionë të telekomanduar. Minidronët “Mini-IHA” kishin veçorinë, që pamjet që siguronin i bashkonin në çast dhe i përshtatnin me hartën. Këtë veçori nuk e kishte asnjë dron në botë. Kurse dronët e armatosur (SIHA) kanë veçori që nuk i ka asnjë avion i telekomanduar (UAV) në botë. Disa veçori janë zhvilluar e përsosur nga përvoja e gjatë që kemi fituar në operacionin e Afrinit dhe nga rekomandimet që na kanë ardhur. Dronët tanë kanë kryer misione në kushte shumë të ndryshme, sidomos vitin e fundit në operacionin “Mburoja e Eufratit”.

MINI-DRONËT “IHA BAYRAKTAR” DHE DRONËT TAKTIKË “IHA BAYRAKTAR” 

Minidronët Mini-IHA, sistemi i parë kombëtar i mjeteve ajrore pa pilot, që në shërbim të Forcave të Armatosura Turke (TSK) ka hyrë në vitin 2007, janë prodhuar nga grupi i kompanive “Baykar”, i cili më vonë zhvilloi edhe dronët (IHA) për qëllime taktike. Selçuk Bayraktar veçoritë e produkteve të këtij grupi i shpjegon kështu: “Sistemi i minidronëve “Bayraktar” është sistemi i parë robotik i mjeteve ajrore pa pilot (të telekomanduara) të Turqisë, i zhvilluar dhe prodhuar plotësisht me mundësi kombëtare, origjinal në aspektin e pajisjeve elektronike, kodimit kompjuterik dhe përbërësit e tjerë strukturorë. Deri më sot ky lloj droni ka bërë më shumë se 100.000 fluturime operacionale. Ky sistem mund të përdoret në të gjitha kushtet, përfshi edhe ato më të vështirat gjeografike dhe atmosferike”.

Sistemi i dronëve për qëllime taktike (Taktik IHA), i cili është zhvilluar sipas konceptit të avionit pa pilot të kategorisë (MALE) që fluturon në lartësi mesatare dhe në distancë të gjatë, i ka të gjitha veçoritë e kontrollit të plotë automatik të fluturimit [taksi (rruga që përshkon avioni deri në vendparkim), ngritja, fluturimi, zbritja dhe parkimi], dhe është një sistem plotësisht origjinal dhe kombëtar. I strukturuar me 3 sisteme rezervë për kontrollin e fluturimit, me aplikacionet (algoritmat) origjinale për fluturim dhe kombinimi i sensorëve e bëjnë këtë dron mjetin fluturues të telekomanduar për qëllime zbulimi dhe vëzhgimi më të zhvilluar në klasifikimin botëror në nivelin e teknologjisë së përparuar që është përdorur në prodhimin e tij. Fluturimet provë janë realizuar me sukses në muajt tetor-nëntor 2009 në prani të delegacionit zyrtar.

ËSHTË PËRDORUR ME EFEKTIVITET NË OPERACIONET USHTARAKE

Një kontribut shumë të rëndësishëm në suksesin e arritur në operacionet antiterroriste që zhvillon Turqia brenda dhe jashtë vendit kanë luajtur edhe dronët IHA dhe SIHA (mjete fluturimi të telekomanduara me ose pa armatim). Dronët “Bayraktar TB2” që nga 2015 e këtej përdoren në operacionet antiterroriste. Ky dron (TB2 IHA) ka aftësi që të sigurojë pamje shumë të qarta në lartësi shumë të mëdha, pa iu dëgjuar zëri dhe pa u dalluar. Veçanërisht në operacionet “Mburoja e Eufratit” dhe “Dega e Ullirit”, këta dronë kanë siguruar një vrojtim efektiv, mbështetje në zbulim dhe zjarr. Dronët “Bayraktar TB2” deri më sot janë përdorur në përcaktimin e vendndodhjes, identifikimin dhe neutralizimin e një numri të konsiderueshëm terroristësh. Kërcënimet ndaj njësive ushtarake që përparonin në terren në kuadër operacionit “Dega e Ullirit”, shumë shpella dhe tunele, që përdoreshin si vendstrehim nga terroristët, u zbuluan me anë të dronëve prodhim vendor. Shumë kërcënime dhe terroristë u neutralizuan nëpërmjet mjeteve ajrore të telekomanduara të armatosura (SIHA).

Sot këta dronë (të armatosur dhe të paarmatosur, SIHA dhe IHA) prodhohen me teknologji të re, e cila do ta rrisë edhe më shumë efektivitetin e tyre. Grupi i kompanive “Baykar” bashkë me firma të tjera partnere ka zhvilluar programin KUZGUN, një kodim kompjuterik që siguron transmetim të drejtpërdrejtë të lëvizshëm. Për herë të parë ky sistem u përdor këtë vit në Stërvitjen e Përbashkët të Kombinuar me Qitje Reale Efes-2018 (Combined Joint Live Fire Exercise). Pamjet direkte që vinin nga dronët KUZGUN u ndoqën nga pajisjet e lëvizshme. Pamjet e siguruara nga dronët IHA (i paarmatosur) dhe SIHA (i armatosur) në situatën e sotme ndiqen dhe vlerësohen në repartet ushtarake, kurse me aplikacionin KUZGUN ato mund të shikohen edhe nga skuadrat me mision aktiv në terren, duke e instaluar aplikacionin tek aparaturat elektronike të lëvizshme që kanë me vete. Duke u dërguar pamje të çastit (në kohë reale) punonjësve të sigurisë me detyrë në zonën e rrezikshme sigurohen kështu avantazhe të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit. Objektivi i ri i Turqisë, e cila në fushën e teknologjisë së prodhimit të mjeteve ajrore pa pilot renditet në mesin e vendeve të rralla në botë, është projekti i prodhimit të avionit reaktiv pa pilot. Duke parë sukseset e rëndësishme që ka arritur Turqia brenda një kohe të shkurtër në zhvillimin dhe prodhimin e dronëve, ajo e zotëron potencialin për ta realizuar edhe objektivin e ri.

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

Shqipëroi: Serdar HÜSEYNİ, Përgjegjës i Redaksisë së Gjuhës Shqipe pranë Radio “Zëri i Turqisë”, Departamenti i Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme