Erdogan: Gjendja e ekonomisë turke nuk është krizë, por manipulim

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deklaroi të enjten se gjendja e sotme e ekonomisë së vendit të tij “nuk është krizë, por manipulim”, duke premtuar hapa të reja kundër luhatjeve në kursin e këmbimit valutor...

Erdogan: Gjendja e ekonomisë turke nuk është krizë, por manipulim

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, mori pjesë dhe mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme 20. të Zakonshme të Konfederatës së Esnafëve dhe Zanatçinjve të Turqisë (TESK), organizuar ditën e enjte në Ankara.

Gjatë fjalës së rastit, ai tha se Turqia është përballur viteve të fundit me sulme të çdollojshme duke filluar me trazirat e rrugëve, pastaj me tentativën për grusht shteti dhe aktet terroriste të organizatave të ndryshme, së fundmi edhe me atentate ekonomike.

“Kapërcyem gjithë këto peripeci, megjithatë stabiliteti politik, fuqia ekonomike dhe integriteti shoqëror i vendit tonë nuk u dëmtua”, u shpreh Presidenti Erdogan.

“Ne jemi të vetëdijshëm se disa vende të tjera, të cilat janë ballafaquar me probleme të ngjashme, i kanë zgjidhur ato në një mënyrë që nuk përputhet me përkufizimin e ekonomisë së tregut të lirë. Sidoqoftë, ne nuk kemi përdorur metoda të tilla në të kaluarën dhe s’do ta bëjmë as në të ardhmen. Ne po bëjmë përpjekje që të zgjidhim pa dalë kurrsesi jashtë kornizës së tregut të lirë të gjitha ngjarjet që ndikojnë negativisht ekonominë, me në krye luhatjet në kursin e këmbimit valutor”, shtoi kreu i shtetit turk.

Ai nënvizoi gjithashtu se ekonomia turke nuk është në krizë, por në shënjestër të manipulimeve të gjithfarshme.

“Kemi jetësuar dhe po sendërtojmë masa të shumta për të parandaluar luhatjet në kursin e këmbimit valutor. Do të bëjmë edhe hapa të tjera në këtë drejtim”, siguroi presidenti turk.

Erdogani vuri në pah gjithashtu se opinoni i tij mbi normat e interesit nuk ka ndryshuar, megjithatë ai potencoi se “Banka Qendrore është e pavarur”.

Por huadhënësit privatë – shtoi ai – veprojnë sipas vendimeve të Bankës Qendrore dhe ka disa praktika të bazuara në normat e interesit që arrijnë deri në 50 për qind.

Sipas tij, normat e larta të interesit janë një faktor që shkakton rritjen e inflacionit.

“Ne s’mund të jemi kurrë ndërmjetësues të mjetit shfrytëzues të quajtur ‘interes’ dhe as kontribuues të tij”, përfundoi ai.



Lajme të ngjashme