Turqia synon të rrisë në 10 miliardë dollarë vëllimin tregtar me Kazakistanin

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Donmez, deklaroi të mërkurën se synojnë të rrisin vëllimin tregtar ndërmjet vendit të tij dhe Kazakistanit në 5 miliardë dollarë brenda disa vitesh dhe më pas në 10 miliardë dollarë...

Turqia synon të rrisë në 10 miliardë dollarë vëllimin tregtar me Kazakistanin

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore të Turqisë, Fatih Donmez, deklaroi të mërkurën se synojnë të rrisin vëllimin tregtar ndërmjet vendit të tij dhe Kazakistanit në 5 miliardë dollarë brenda disa vitesh dhe më pas në nivelin e 10 miliardë dollarëve.

“Për të arritur këto nivele në jo më shumë se 7-8 vite, ne jemi të detyruar të çojmë edhe më përpara bashkëpunimin tonë aktual”, tha ai gjatë një fjalimi në Forumin e Investimeve Turqi-Kazakistan, realizuar në Ankara.

Fatih Donmez theksoi se politika e jashtme aktive dhe shumëdimensionale, që Turqia dhe Kazakistani kanë shpalosur kohët e fundit duke marrë iniciativë, ka rëndësi jetike për vendosjen e paqes globale.

“Bisedimet që vazhdojnë në Astanë dhe Stamboll për të mundësuar sundimin e paqes dhe qetësisë në rajonin tonë, tregojnë sinqeritetin e përpjekjeve të Turqisë dhe Kazakistanit. Marrëdhëniet ndërmjet Turqisë dhe Kazakistanit, dy vende me histori dhe origjinë të përbashkët, janë me të gjitha anët e tyre shumë të avancuara sesa raportet ndërmjet dy shteteve të çfarëdoshme”, u shpreh ministri turk i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore.

Duke bërë me dije se investimet turke në Kazakistan rezultojnë aktualisht në nivelin e 3,2 miliardë dollarëve, Donmez tërhoqi vëmendjen se Turqia është vendi i 3-të që ka më shumë firma me kapital të huaj në Kazakistan, menjëherë pas Rusisë dhe Kinës.

Pasi sqaroi se firmat turke investojnë në shumë fusha të këtij vendi, nga telekomunikacioni dhe sektori bankar e deri tek energjetika, financa dhe menaxhimi i aeroporteve; ministri turk nënvizoi se Kazakistani është duke përparuar me shpejtësi drejt objektivave madhore nën udhëheqësinë e Presidentit Nursultan Nazarbayev.

Me përvojën e sektorit publik dhe privat të saj – vijoi Donmez – Turqia është përherë gati të ofrojë çdo mbështetje të nevojshme për projektet që Kazakistani aspiron të sendërtojë.

Ministri i Energjetikës dhe Burimeve Natyrore të Turqisë tha më tej se Kazakistani ka rreth 170 milionë dollarë investime në vendin e tij.

“Turqia renditet në krye të shteteve që u ofrojnë investitorëve mbështetjet dhe stimujt më joshës në botë. Sot, këtu, ne do të dëshmojmë të gjithë së bashku nënshkrimin e 22 marrëveshjeve me vlerë të përgjithshme 1,7 miliardë dollarë, 18 prej të cilave me karakter tregtar. Ne dëshirojmë që me rastin e vizitës së Presidentit të Azerbajxhanit, Nazarbayev, marrëveshjet të azhurnohen duke shtuar projekte të reja në to dhe pasuruar akoma më tepër përmbajtjen e tyre, për të çuar në një stad më lartë marrëdhëniet tona”, përfundoi ministri Donmez.



Lajme të ngjashme