Kosovë – KFOR-i turk rinovon klasat e Shkollës Fillore “Haziz Tola”

Në Prizren u bë të martën përurimi i nëntë klasave të katit të dytë të Shkollës Fillore “Haziz Tola”, të rinovuara dhe të pajisura nga Përfaqësia Ushtarake e Turqisë në Kosovë (KFOR-i turk)...

Kosovë – KFOR-i turk rinovon klasat e Shkollës Fillore “Haziz Tola”

Në Prizren u bë të martën përurimi i nëntë klasave të katit të dytë të Shkollës Fillore “Haziz Tola”, të rinovuara dhe të pajisura nga Përfaqësia Ushtarake e Turqisë në Kosovë (KFOR-i turk).

Konsullja e përgjithshme e Republikës së Turqisë në Prizren, Eylem Altunya, tha në fjalën e rastit se KFOR-i turk ka realizuar sërish një projekt me të cilin Turqia është krenare.

“Besoj se ky projekt, realizuar nga Përfaqësia Ushtarake e Turqisë në Kosovë, do të ofrojë një kontribut të rëndësishëm që nxënësit e kësaj shkolle të marrin një arsimim më të mirë në vitin akademik 2018-2019”, deklaroi ajo.

Komandanti i KFOR-it turk në Kosovë, Koloneli Cem Sinan Barım, u shpreh i nderuar që ndodhet në Kosovë që nga viti 1999. Ai vuri në pah se e ardhmja e një shteti mund të garantohet vetëm me një arsim të mirë.

“Për këtë arsye, ndjejmë një krenari dhe nder të madh për realizimin e këtij projekti në këtë shkollë. Shpresojmë që nxënësit e këtyre klasave do të marrin një arsim në kushte të rehatshme dhe do t'i përvetësojnë më lehtë njohuritë”, tha ai.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Prizrenit, Skender Susuri, theksoi nga ana e tij se nuk mund të ketë një fillim më të mirë për mësimdhënësit dhe nxënësit e kësaj shkolle, kur, sipas tij, falë një donacioni të madh të shtetit turk, kjo shkollë ka marrë një fizionomi të shkollave moderne, përkatësisht të shkollave cilësore.

“Më duhet të them publikisht se ky nuk është investimi i vetëm i shtetit turk. Që nga çlirimi i Kosovës, shteti turk ka bërë investime të mëdha në Kosovë, veçanërisht në Komunën e Prizrenit. Ne jemi falënderues e mirënjohës dhe shpresojmë në investime tjera në Kosovë”, tha ai.

Ndërkaq, edhe drejtori i shkollës, Hilmi Rexha, falënderoi KFOR-in turk për rinovimin e 9 klasave dhe kompletimin e tyre me inventar bashkëkohor.

Për nder të këtij përurimi, nxënësit e shkollës në fjalë organizuan një program me vjersha, këngë e valle.

Në kuadër të këtij projekti është bërë lyerja e mureve dhe tavaneve të klasave, rinovimi i dyshemesë, ndërrimi i armaturës dhe i dyerve, furnizimi me banka e karrige, perde, si dhe tavolina e karrige për mësimdhënësit. Projekti është financuar nga Republika e Turqisë në kuadër të Projektit të Bashkëpunimit Ushtarako-Civil të KFOR-it turk. / AA



Lajme të ngjashme