Erdogan: I gjunjëzohemi vetëm Allahut, jo atyre që shfrytëzojnë botën për mirëqenien e tyre

Presidenti Erdogan u dërgoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës mesazhe të qarta nga foltorja e Kongresit 6. të Madh të Zakonshëm të AK Partisë...

Erdogan: I gjunjëzohemi vetëm Allahut, jo atyre që shfrytëzojnë botën për mirëqenien e tyre

Në kongresin e parë të forcës së tij politike në sistemin e ri qeverisës, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njëherësh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti), u ndal kryesisht mbi luftën ekonomike ndaj vendit të tij.

Presidenti Erdogan u dërgoi Shteteve të Bashkuara të Amerikës mesazhe të qarta nga foltorja e Kongresit 6. të Madh të Zakonshëm të AK Partisë.

“Disa na kërcënojnë neve gjoja me ekonomi, sanksione, kurs këmbimi, valutë, norma interesi dhe inflacion. Ne u themi atyre që e shohim lojën tuaj dhe ju sfidojmë”, deklaroi ai.

“Ne e dimë që nëse ka iman (besim), ka edhe mundësi. Me imanin e tij, kombi ynë ka mposhtur gjithmonë shumë e shumë tradhti dhe kurthe deri më sot. Nuk u jemi gjunjëzuar dhe s’do t’u gjunjëzohemi atyre që e ndërtojnë mirëqenien e tyre duke shfrytëzuar botën. Ne s’jemi gjunjëzuar askund deri më sot. Jemi përkulur vetëm në ruku dhe gjunjëzuar vetëm në sexhde para Allahut”, shtoi presidenti.

Erdogani tërhoqi vëmendjen se nuk njohin asnjë forcë njerëzore që të qëndrojë përballë kombit guximtar dhe të zgjuar turk.

“Askush të mos përpiqet të luajë me këtë popull dhe me këtë vend. Ne jemi një komb që marshon drejt objektivave të tij me moton ‘ose do të bëhemi, ose do të vdesim’. Ne nuk u jemi dorëzuar dhe nuk do t'u dorëzohemi atyre që në pamje duken si partnerë strategjikë, por me çdo hap që hedhin përpiqen të na bëjnë objektiva strategjike. Ne jemi një popull i vetëm, një flamur, një atdhe, një shtet dhe përgjigjen më të mirë ndaj atyre që dëshirojnë të na përçajnë e japim edhe në votime, edhe në sheshe”, vlerësoi kreu i Ankarasë zyrtare.

“E theksojmë fuqishëm edhe një tjetër herë se nuk do t‘ia dilni, s’do ta përçani dot kombin tonë, nuk do të arrini t’i heshtni ezanët tanë dhe as të ulni flamurin tonë, s’do ta rrëzoni dot shtetin tonë, nuk do të mund ta ndalni ngritjen e Turqisë dhe as të na pengoni që ne të centrojmë objektivat tona. Sepse ne jemi Turqia, sepse ne jemi kombi turk, sepse ne jemi myslimanë, ne jemi zëri i përbashkët i njerëzimit dhe ndërgjegjja e tij”, potencoi ai.

Më tej, Erdogani u ndal mbi operacionet e forcave turke të sigurisë kundër terrorizmit duke njoftuar se do të vazhdojnë zgjerimin e operacioneve me besimin se siguria kufitare e Turqisë fillon që përtej kufijve.

“Ne jemi të vendosur që t’i eliminojmë me çdo çmim që në burim kërcënimet ndaj vendit tonë nga Siria dhe Iraku”, u shpreh presidenti turk.

“Përgjatë kufijve tanë që nga Suruçi e deri në Xhizre, do të bëjmë të njëjtën gjë që kemi bërë më parë në Xharabulus e Al-Bab dhe sot në Afrin”, përfundoi Erdogani.



Lajme të ngjashme