Koment – Dronët kamikazë kombëtarë të Turqisë

Sot, Turqia ka nisur të prodhojë dhe vërë në përdorim dy dronët e parë kamikazë kombëtarë, “Alpagu” e “Kargu”, si dhe atë vrojtues të quajtur “Togan”...

Koment – Dronët kamikazë kombëtarë të Turqisë

Koment – Dronët kamikazë kombëtarë të Turqisë

Nga Tarkan ZENGİN*

Turqia ka kërkuar më parë që të blejë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dronë (mjete ajrore të telekomanduara - UAV) të aftë që të bëjnë pikiata vetëvrasëse, për t’i përdorur ata në luftën kundër terrorizmit; por SHBA-ja s’ka pranuar. Sot, Turqia ka nisur të prodhojë dhe vërë në përdorim dy dronët e parë kamikazë kombëtarë, “Alpagu” e “Kargu”, si dhe atë vrojtues të quajtur “Togan”.

Gjatë viteve të fundit, Republika e Turqisë vazhdon të spikasë me produktet e reja kombëtare që është duke prodhuar në sektorin e mbrojtjes. Dronët ishin fillimisht vetëm transportues të kamerave për xhirime ajrore në industrinë e filmit, ndërsa tashmë ata përdoren në shumë fusha. Në këtë kontekst, Turqia ka nisur të prodhojë me kapacitete dhe mundësi vendore edhe dronët, si mjete që ofrojnë avantazhe shumë të rëndësishme në luftën kundër terrorizmit. Turqia ka kërkuar më parë që të blejë nga SHBA-ja dronë të aftë që të bëjnë pikiata vetëvrasëse, për t’i përdorur ata në luftën kundër terrorizmit; por ajo s’ka pranuar. Refuzimi nga Uashingtoni i kërkesës së Ankarasë partnere strategjike për të blerë këto produkte, të cilat do të garantonin epërsi në luftën antiterrorizëm, ishte me të vërtetë për t’u çuditur. Turqia megjithatë e transformoi në shans këtë situatë të pavolitshme duke prodhuar dhe vënë në përdorim dronët e saj vendorë. Ajo nisi të prodhojë në seri produktet kombëtare të saj me burime njerëzore dhe kapacitete vetjake. Madje depozitimi i ofertave nga vende të ndryshme për blerjen e këtyre produkteve është një prej indikatorëve më të rëndësishëm të suksesit të Turqisë në këtë fushë. Aktualisht, vetëm tre shtete në botë janë të afta të prodhojnë “dronë kamikazë” të këtij lloji, një prej tyre është edhe Turqia.

Ajo është tashmë në një dimension të rëndësishëm sa i përket teknologjisë së mjeteve ajrore pa pilot (UAV). Jo vetëm që ka nisur prodhimin në seri në “dronëve kamikazë të armatosur”, të cilët konsiderohen si ushtarët e rinj të Turqisë në qiell, por edhe i ka vënë ato në shërbim të forcave të sigurisë. Por le të flasim tani për tre dronët e projektuar, zhvilluar dhe prodhuar si armë kombëtare nga Kompania e Inxhinierisë së Teknologjive të Mbrojtjes (STM). Ata janë: “ALPAGU” (Dron Autonom me Krahë të Fiksuar për Goditje Taktike), “KARGU” (Dron Autonom me Krahë të Rrotullueshëm për Goditje) dhe “TOGAN” (Sistem Droni Autonom me Krahë të Rrotullueshëm për Zbulim). STM-ja është themeluar në vitin 1991 me dekret të Komitetit Ekzekutiv të Industrisë së Mbrojtjes për të siguruar shërbime si inxhinieria e sistemeve, mbështetja teknike dhe logjistike, menaxhimi i projekteve dhe transferimi i teknologjive për Forcat e Armatosura Turke dhe Nënsekretariatin e Industrisë së Mbrojtjes (SSM).

Dronët e parë kombëtarë dhe mbikëqyrës të Turqisë kanë filluar t’u dorëzohen Komandës së Forcave Speciale dhe Komandës së Forcave Detare që prej muajit nëntor 2017. “Kargu” u përdor gjerësisht në operacionin “Dega e Ullirit” në Afrin. Gjatë një misioni në këtë distrikt sirian, droni kamikaz kombëtar turk, “Kargu”, u vu në ndjekje të një grupi prej 5 terroristësh të PKK-së dhe shpërtheu në pikën më të afërt duke i neutralizuar të gjithë elementët terroristë. Falë këtij mjeti ajror të telekomanduar, forcat speciale turke kanë neutralizuar shumë terroristë dhe asgjësuar dhjetëra objektiva nga 5 km distancë. Pas Afrinit, “Kargu” është kthyer tashmë në makthin e terroristëve edhe në Kandil.

“ALPAGU” (Droni Autonom me Krahë të Fiksuar për Goditje Taktike)

Dronët kombëtarë janë sot ndër mjetet luftarake më të fuqishme në operacionet antiterrorizëm dhe në luftën asimetrike. Kuptimi i emrit “ALPAGU” është “trim që sulmon i vetëm armikun”. Ai mund të transportohet nga një ushtar dhe është i aftë të identifikojë e më pas të neutralizojë objektivat apo trupat armike.

Sipas STM-së prodhuese të këtij droni, disa nga tiparet teknike të tij janë: “Alpagu” lehtëson autonominë e tij përmes vizionit kompjuterik të sofistikuar dhe algoritmeve të mësimit të thellë, të tilla si zbulimi, ndjekja, klasifikimi dhe neutralizimi i objektivave statike ose lëvizëse me përmasa të vogla. Sistemi përfshin një UAV me krahë të fiksuar, platformën e lëshimit dhe njësinë tokësore të kontrollit. Ai mund të veprojë në misione ditën dhe natën.

“KARGU” (Dron Autonom me Krahë të Rrotullueshëm për Goditje)

Kuptimi i emrit “KARGU” është “kullë vrojtimi në majë të malit” ose “gjeraqinë”. Teknikisht, ai klasifikohet si “dron kamikaz i armatosur” me krahë të rrotullueshëm. Sipas kompanisë prodhuese STM, disa nga tiparet teknike të tij janë: “Kargu” është një UAV me krahë të rrotullueshëm që mund të montohet dhe operohet nga një personel i vetëm në mënyra autonome dhe manuale. Ai mund të reagojë me shpejtësi dhe efektivitet ndaj objektivave statike ose lëvizëse (d.m.th. automjet, person, etj.) përmes lehtësimit të aftësive të tij të përpunimit të imazhit dhe algoritmeve të mësimit mekanik. Sistemi përbëhet nga droni goditës me krahë të rrotullueshëm dhe njësia tokësore e kontrollit. “Kargu” mund të realizojë operacione efektive ditën dhe natën. Krahas aftësisë së vetasgjësimit, ai mund të shpërthehet edhe në lartësitë e dëshiruara.

“TOGAN” (Sistem Droni Autonom me Krahë të Rrotullueshëm për Zbulim)

Droni “Togan” e merr emrin nga fajkoi, “shpend grabitqar me sy të mprehtë, krahë të mëdhenj dhe me kthetra të forta”. Sipas kompanisë prodhuese STM, disa nga tiparet teknike të tij janë: “Togan” është një zgjidhje UAV me shumë rotorë, projektuar për skenarët e zbulimit, antiterrorizmit dhe luftës asimetrike. Ai mund të transportohet, montohet dhe operohet lehtësisht nga një personel i vetëm në mënyra autonome dhe manuale. Sistemi kryen misionet e zbulimit dhe vrojtimit me saktësi të lartë për të rritur vetëdijen e kërcënimit brenda zonës operacionale taktike.

Këta dronë kombëtarë të Turqisë eliminojnë shansin e arratisjes së terroristëve dhe janë të aftë që t’i neutralizojnë ata duke hyrë në strofkat e tyre qoftë edhe nga hapësirat më të vogla. “Alpagu” dhe “Kargu” montohen e lëshohen në më pak se një minutë kohë. Të ngarkuar me municion antipersonel, ata mund të bëjnë pikiatë me shpejtësi 120-140 km/orë në drejtim të objektivit. Municioni i tyre asgjëson çdo objektiv në një hapësirë prej 20 m2. Falë këtyre armëve kombëtare të prodhuara me mundësi e kapacitete vendore, Turqia vazhdon të bëhet makthi i të gjitha organizatave terroriste me të cilat lufton.

 

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme