MPJ turke: S’pranojmë më zvarritje nga SHBA-ja për kreun e FETO-s

Turqia bëri të ditur se nuk pranon më zvarritje apo vonesa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me kreun e organizatës terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY)...

MPJ turke: S’pranojmë më zvarritje nga SHBA-ja për kreun e FETO-s

Turqia bëri të ditur se nuk pranon më zvarritje apo vonesa nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në lidhje me kreun e organizatës terroriste gyleniste/struktura paralele në shtet (FETO/PDY).

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Turqisë, Hami Aksoy, ka bërë një deklaratë në lidhje me mbledhjen e grupit të punës së përbashkët Turqi-SHBA, e cila u zhvillua më 13 korrik, duke thënë se SHBA-ja tashmë nuk duhet të vonohet në çështjen e FETO-s.

Pasi ka rikujtuar se mbledhja e parë e grupit të përbashkët të punës ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së u mbajt në Ankara, më 13 korrik, Hami Aksoy ka vlerësuar se në këtë takim kanë shkëmbyer pikëpamjet e tyre në lidhje me luftën ndaj FETO-s dhe veçanërisht ekstradimin e kreut të FETO-s, Fethullah Gulen, çështjen e ish-zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Bankës Popullore (Halkbank), Hakan Atilla, bashkëpunimin e drejtë mes dy vendeve, si dhe për shtetasit e arrestuar amerikanë në Turqi.

“Në mbledhje kemi nënvizuar se SHBA-ja tashmë nuk duhet të na vonojë, veçanërisht në çështjen e FETO-s”, është shprehur zëdhënësi i MPJ turke gjatë konferencës për shtyp.

Kurse në lidhje me thirrjen e Presidentit amerikan, Donald Trump, për lirimin e priftit Craig Brunson, i cili mbahet në Turqi nën masën e arrestin me burg, Aksoy tha se “Turqia është një shtet ligjor dhe si e tillë një proces ligjor po vazhdon në lidhje më këtë çështje”.

Ai është ndalur më tej mbi zhvillimet në Siri. Kryefjala e tij në lidhje me krizën siriane ishte prania e organizatës separatiste terroriste, PKK/PYD, në qytetin e Menbixhit.

“U konfirmua se PYD-ja është tërhequr nga zona e patrullimit në Menbixh. Faza e planifikimit dhe implementimit të udhërrëfyesit për Menbixhin është duke vazhduar. Qëllimi i udhërrëfyesit për Menbixhin është t’i japë fund PYD/YPG-së”, ka siguruar Aksoy.

Zëdhënësi ka theksuar se një numër i madh njerëzish të pafajshëm kanë humbur jetën dhe qindra-mijëra të tjerë janë zhvendosur nga vendbanimet e tyre për shkak të sulmeve të regjimit në Siri, të cilat kanë në shënjestër zonat e çtensionimit në Dera dhe Kuneitra.

“I dënojmë dhe mallkojmë ashpër këto sulme, të cilat minojnë proceset e Astanës dhe Gjenevës për reduktimin e sulmeve në terren dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike për krizën”, tha Aksoy.

Sipas tij, regjimi sirian po përpiqet të zgjidhë problemin me mënyra ushtarake.

“Por me këtë rrugë është e pamundur që të dominohet në vend. Nuk duam kurrsesi që të përsëritet edhe në Idlib përvoja e skenarit të mëparshëm në Gutën Lindore, në veri të Humusit dhe aktualisht në pjesën perëndimore të Sirisë”, nënvizoi zëdhënësi i MPJ turke.

Ai gjithashtu rikujtoi se Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në bisedën e tij telefonike të 14 korrikut me homologun rus, Vladimir Putin, e ka paralajmëruar atë se shënjimi i Idlibit nga regjimi sirian mund të nënkuptohet si shkelje e marrëveshjes së Astanës.



Lajme të ngjashme