• Video galeri

Koment – Historia e avionëve vendorë dhe kombëtarë në sektorin e mbrojtjes: Hurkus e të tjerët

Armët, dronët e armatosur dhe paarmatosur vendorë, si dhe aktivitetet e mirëmbajtjes dhe riparimit, të cilat mundësojnë realizimin e operacioneve në terren, tërhoqën vëmendjen e të gjithë botës...

Koment – Historia e avionëve vendorë dhe kombëtarë në sektorin e mbrojtjes: Hurkus e të tjerët

Koment – Historia e avionëve vendorë dhe kombëtarë në sektorin e mbrojtjes: Hurkus e të tjerët

Nga Tarkan ZENGİN*

Turqia pa në operacionet ushtarake të fundit rezultatet pozitive të përparimit domethënës të bërë gjatë viteve të fundit në industrinë e mbrojtjes. Në luftën antiterrorizëm brenda vendit dhe në ofensivat e suksesshme jashtë, të cilat nisën me operacionin “Mburoja e Eufratit” dhe vijuan me atë “Dega e Ullirit”, u përdorën produkte të industrisë vendore dhe kombëtare të mbrojtjes. Armët, dronët e armatosur dhe paarmatosur vendorë, si dhe aktivitetet e mirëmbajtjes dhe riparimit, të cilat mundësojnë realizimin e operacioneve në terren, tërhoqën vëmendjen e të gjithë botës. Vendi ynë, dikur kryesisht i varur nga jashtë në industrinë e mbrojtjes, tani prodhon anijen kombëtare, tankun dhe radarin kombëtar, armët dhe mjetet ajrore të telekomanduara kombëtare, si dhe dërgon në hapësirë satelitin vendor. Kjo pikë e arritur në industrinë e mbrojtjes së vendit tonë është rezultat i kontributit të kompanive të industrisë së mbrojtjes, punonjësve të institucioneve ushtarake dhe veçanërisht i hapave të ndërmarra në 15 vitet e fundit duke u udhëhequr nga një lidership i mirë.

Nuri Demirag: “Shqiponja e fitores u ul mbi krahun e avionit”

Po të shohim historinë e industrisë mbrojtëse të Turqisë, pavarësisht sakrificave dhe përpjekjeve të konsiderueshme, në thelb ka qenë një sektor i cili s'është mbështetur mjaftueshëm nga drejtuesit e vendit. Ishin vitet 1930! Jeta e Nuri Demirag, një sipërmarrës i rëndësishëm nga Divrigi në Turqinë e asokohshme, tregon qartë arsyen përse industria vendore-kombëtare na pati shkarë nga duart për vite me radhë. Ataturku i dha atij mbiemrin “Demirag” (Rrjeti i Hekurt) duke qenë se kishte ndërtuar rreth 1.250 km hekurudhë në Turqi. Dhjetëra projekte madhore për zhvillimin e vendit mbanin firmën e tij. Në vitin 1939, ai prodhoi avionë dhe hapi Shkollën e Aviacionit, nga ku dolën dhjetëra pilotë të rinj. Duke thënë “fitorja s'është në majën e syngjisë; shqiponja e fitores u ngrit nga maja e syngjisë, fluturoi dhe u ul mbi krahun e avionit”, Nuri Demirag tregonte sa herë që i jepej rasti se sa e rëndësishme ishte të dominoje qiejt në atë periudhë. Dhe idetë e tij nuk mbeteshin në fjalë, pasi ai është edhe themelues i një fabrike avionësh për të dominuar qiejt. Më 1939-n, ai prodhoi avionin e parë vendor që fluturoi në qiell.

Por ato që i ndodhin atij ishin gati të paimagjinueshme. Më parë, në vitin 1933, ai u përball me një sjellje të keqe, thuajse përbuzje, nga ministri i Punëve Publike të asaj kohe, Ali Çetinkaya, teksa po i prezantonte projektin e Digës Keban për të plotësuar nevojat energjetike të vendit. Ali Çetinkaya ishte njëri prej “Tre Alijve” anëtarë të trupit gjykues të Gjykatave të Pavarësisë në vitet 1921-1923. Ende pa nisur mirë prezantimin e projektit, ministri bëri një hyrje të akullt me këto fjalë: “Po zoti Nuri, dashkeni të ndërtoni një digë. Si do ta bëni, me kë do ta bëni dhe si do t'ia dilni mbanë një pune kaq të madhe? Megjithatë le të supozojmë që e realizuat. E kujt do t'ia shisni energjinë e prodhuar?” Sipërmarrësi Demirag kishte shkuar në Ministri bashkë me inxhinierët e tij dhe ishte i përgatitur. Sepse ai kishte në raportin e tij përgjigjet e tërë këtyre pyetjeve dhe shumë më tepër. Por ministri as që kishte ndërmend të dëgjonte. Kur Demirag i thotë se “kjo çështje kishte të bënte me të ardhmen e vendit”, ministri i ndërpret fjalën e gati sa nuk e dëbon nga zyra: “Ty të paska mbetur të mendosh për të ardhmen e vendit, nëse duhet, ne mendojmë për këtë!” Diga Keban, e cila ishte projektuar më 1933-shin, vjen në rend të ditës përsëri më 1966-n dhe ndërtimi i saj zgjat 10 vjet. Për shkak të drejtuesve smirëzinj, një projekt kaq i rëndësishëm fillon të ndërtohet me 33 vite vonesë.

Nuri Demirag prodhon avionin e parë kombëtar më 1939-n

Në vitin 1935, autoritetet organizojnë një fushatë për të blerë avionët që i nevojiteshin vendit. Avionëve u viheshin emrat e njerëzve që dhuronin mbi 10.000 lira. Nuri Demirag, një prej sipërmarrësve më të pasur të kohës, vendosi që të mos bëjë donacion, por të investojë gjithë pasurinë e tij për të prodhuar një avion kombëtar. Të gjithë pasurinë e fituar deri atë ditë, ai e konsideronte si “amanet të kombit”. Duke qenë se “marrjen e licencave nga Evropa dhe Amerika për të prodhuar avionë” e quante kopjim, ai përveshi mëngët për një avion plotësisht “model turk”. Më 1936-n, Demirag hodhi themelet e fabrikës në Besiktas. Ndërsa me një fabrikë tjetër, e cila do të ndërtohej në Divrigi, ai nisi punimet për ngritjen e pistës së aviacionit në vendin ku sot ndodhet Aeroporti “Ataturk” në Yesilkoy të Stambollit.

Demirag dhe stafi i kompanisë së tij, e cila kishte fituar tenderin e hapur në vitin 1937 nga Shoqata Turke e Aeronautikës (THK) për blerjen e 10 aeroplanëve stërvitorë dhe 65 planerëve, punonin ditë e natë. Mirëpo me ndarjen nga jeta të Ataturkut më 1938-n, vendi filloi të bëhej skenë e konflikteve politike. Në vitin 1939, aeroplanët u refuzuan edhe pse i plotësonin të gjitha kushtet teknike dhe piloti i Shoqatës Turke të Aeronautikës kishte paraqitur një raport pozitiv. Njëri nga aeroplanët bëri aksident në Eskisehir duke zbritur në një fushë të mbjellë si pasojë e pistës së pamjaftueshme dhe të ngushtë. Autoritetet e Shoqatës s'pranuan të merrnin në dorëzim avionët me arsyetimin se ky aksident qe shkaktuar nga një gabim teknik. Pavarësisht letërkëmbimeve të shumta me të gjithë zyrtarët e asokohshëm dhe disa padive, Demirag nuk arriti të marrë rezultatin e dëshiruar. Një tjetër projekt i rëndësishëm, i cili do të ndikonte të ardhmen e vendit, u sakrifikua për konflikte dhe ambicie politike.

Zhvillimi i projektit të avionit turk për fillestarë dhe për trajnim themelor (HURKUS)

Ndërkaq, sot, me ndikimin e liderëve të vendit dhe me përkrahjen e institucioneve përkatëse, po zhvillohen një numër i madh projektesh të mbrojtjes kombëtare. Tani ka përfunduar edhe prodhimi i prototipit të avionit HURKUS. Gjithashtu punimet që avioni i parë kombëtar të ngrihet në qiell në vitin 2023 janë duke vazhduar me gjithë shpejtësinë. Nga avioni HURKUS, i cili është avioni i parë turk i certifikuar nga Autoritetet Evropiane të Aviacionit Civil, janë prodhuar dy prototipa. HURKUS, një projekt i avionit turk për fillestarë dhe trajnim themelor, është një projekt origjinal i projektuar për t’i plotësuar nevojat e aviacionit civil dhe ushtarak për avion trajnues. Gjithashtu janë duke vazhduar edhe punimet për armatimin e një modelit tjetër të këtij avioni të quajtur HURKUS-C.

Projekti i avionit luftarak kombëtar

Nevojat e Forcave Ajrore Turke për avionë luftarakë pas vitit 2030 do të mbulohen me modelin autentik të dizajnit vendor të projektit të avionit luftarak kombëtar. Punimet janë duke u kryer me një dizajn unik për vendin, ku përdoren produktet industriale vendase në nivelin maksimal. Është planifikuar që fluturimi i parë i këtij projekti të rëndësishëm, punimet e të cilit vazhdojnë, të bëhet në vitin 2023. 

Projekti i përbashkët i avionit sulmues F-35

Dizajni dhe prodhimi i avionit luftarak F-35 të gjeneratës së 5-të, me një pilot dhe një motor, shumëqëllimësh, me kapshmëri të ulët, gjuajtës/luftarak, bëhet nga një konsorcium ndërkombëtar i kryesuar nga SHBA-ja dhe ku marrin pjesë gjithashtu Anglia, Italia, Turqia, Holanda, Kanadaja, Australia, Norvegjia dhe Danimarka. Turqia, e cila është pjesë e këtij projekti, spikat me blerjen e 100 avionëve. Avionin e parë F-35 Turqia e mori në dorëzim më datë 21 qershor, me një ceremoni të organizuar në Fort Worth të Teksasit, në ShBA. Aktualisht pilotët turq kanë filluar me trajnime në ShBA dhe pas përfundimit të trajnimeve të nevojshme do të nisin fluturimet me këtë avion.  

Turqia do të jetë baza për riparimin e trupit e motorit, si dhe për mirëmbajtje dhe riparime të rënda të avionëve F-35 në Evropë. Pjesa e qendrore e trupit të avionit, e cila është një nga elementët strukturorë më kompleksë të avionëve F-35, prodhohet në Turqi si burim i vetëm. Në Turqi prodhon gjithashtu pjesët përbërëse të avionit F-35 A/B/C, trupat metalike të poshtme të avionit F-35A, zgavrat e hyrjes së ajrit në motor, si dhe bartësi i ngarkesës “Pylon”, me përjashtim të armatimit ajër-tokë. Po ashtu Turqia në avionët F-35 realizon edhe integrimin e sistemeve të armatimit si pajisjet e udhëzuesit preciz (HGK) dhe të raketave SOM-J, të zhvilluara nga TUBITAK SAGE dhe të prodhuara nga kompania ROKETSAN. Ndërkohë që të gjitha projektet e mbështetura nga shteti po sendërtohen, projektet që shteti ka penguar në të kaluarën nuk u jetësuan.

Në artikullin e radhës do vazhdojmë t’ju tregojmë historitë e arritjeve të tjera të industrisë turke të mbrojtjes, projekte të cilat janë prodhuar dhe operojnë me sukses.

 

*Drejtor i Trajnimeve të Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Ushtarak Turk, Ankara

Shqipëruan: Hilmi Velagoshti dhe Ergjan Muharremi - Gazetarë në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme