Suksesi i studentëve turq në konkursin AUVSI SUAS 2018

Ekipet turke janë dalluar në Konkursin Ndërkombëtar të Sistemeve Ajrore pa Pilot (AUVSI SUAS 2018), që zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe ku marrin pjesë një numër i kufizuar ekipesh nga të gjitha vendet e botës.

Suksesi i studentëve turq në konkursin AUVSI SUAS 2018

Konkursi organizohet në shtetin Merilend dhe këtë vit u mbajt për të 16-ën herë.

Në organizimin e këtij viti, ku fazën e kualifikimit paraprak e kaluan një numër i caktuar konkurruesish, u pranuan ekipe nga 69 universitete të rajoneve të ndryshme të botës.

Turqia në këtë konkurs (AUVSI SUAS 2018) mori pjesë me 5 ekipe. Ekipet teknologjike që janë krijuar në kuadër të universiteteve turke vazhdojnë të jenë gjithnjë e më të suksesshme në konkurse të ndryshme ndërkombëtare.

Studentët turq nga Universiteti Teknik i Stambollit dhe Universiteti Teknik Yıldız konkurruan me rivalët e tyre të fortë nga universitetet “Harvard”, “Stanford” dhe “U.C. Berkeley”, që pranohen si universitetet më të mira të botës. Ata u futën në dhjetëshen e parë, duke arritur një sukses të rëndësishëm.

Ekipi i Universitetit Teknik të Stambollit, “İTÜNOM” zuri vendin e 7-të, kurse ekipi i Universitetit Teknik Yıldız, “Lagari”, zuri vendin e 8-të.

Ndërkohë ekipi “Lagari” realizoi qitjen më të mirë në objektiv në historinë e konkursit duke shënuar një rekord të ri dhe e përfundoi i 5-i garën në kategorinë e përmbushjes së misioneve.

Konkursi i AUVSI SUAS është një nga më të gjithanshmit në botë në sektorin e Sistemeve Ajrore pa pilot (UAS), ku studentët marrin pjesë me sistemet që kanë zhvilluar vet.

Konkursi kërkon që studentët të dizenjojnë, integrojnë, raportojnë dhe demonstrojnë një Sistem Ajror pa pilot (UAS) të aftë për fluturim dhe lundrim autonom, ndjeshmëri të largët nëpërmjet sensorëve të ngarkesës në bord dhe të kryejë një grup të caktuar detyrash.

Konkursi është mbajtur çdo vit që nga viti 2002 në Merilend (Maryland) të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe renditet në mesin e konkurseve më të mirë të këtij lloji në botë, pasi mbledh në një vend informacione dhe aftësi teknike nga degë të ndryshme të inxhinierisë.



Lajme të ngjashme