Koment – Përse procesi zgjedhor nuk është më polarizues?

Analizë në kuadër të serialit radiofonik "Perspektiva Globale" nga prof. dr. Kudret Bülbül, dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, në Ankara...

Koment – Përse procesi zgjedhor nuk është më polarizues?

Koment – Përse procesi zgjedhor nuk është më polarizues?

Prof. dr. Kudret BÜLBÜL*

Vetëm pak ditë më vonë, në Turqi do të mbahen zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Kandidatët dhe forcat politike janë në kulmin e fushatave të tyre elektorale. Po të shohim procesin zgjedhor për qeverinë presidenciale, i pari në historinë e Turqisë, ajo çfarë spikat është një klimë e butë dhe një proces i moderuar, ndoshta dhe i paprecedent për vendin. Atyre fushatave elektorale të së kaluarës, ku mbizotëronte kryesisht gjuha apo retorika e ashpër, polarizuese dhe e skajshme, pothuajse nuk u ka mbetur më as nami e as nishani.

Por cilat mund të jenë arsyet e kësaj situate?

Domosdoshmëria e një politike pajtuese për të fituar 50%+1 të votave

Kur u hedhim një vështrim zgjedhjeve të mëparshme, në politikën turke ishte e mundur të merrej pushteti me rreth 20% të votave. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) u bë pararojë për ligjësimin e zgjedhjes së kreut të shtetit me 50%+1 të votave duke zgjedhur njëherësh edhe rrugën më të vështirë për veten e saj. Tashmë partive s'do t'u mjaftojnë më politikat e prodhuara vetëm për konsolidimin e tabanit të tyre. Për të ardhur në pushtet, kandidatëve do t'u duhet të zhvillojnë politika të atilla që të mund të marrin vota nga shtresa të gjera të shoqërisë. Me këtë qëllim, kandidatët duhet t'u afrohen zgjedhësve të rinj dhe t'i bindin ata. Domosdoshmëria për të fituar 50%+1 të votave, i shtyn ata larg politikës së vjetër me objektiv vetëm tabanin e tyre, i detyron ata që të ngrenë spirancën nga ky port i sigurt për të lundruar drejt limaneve të reja. Në këtë kontekst, të gjitha partitë duhet t'u qasen shtresave më të gjera të shoqërisë, të ndjekin më tepër politika pajtuese, të distancohen nga retorizmi i ashpër dhe të mbajnë rezerva ndaj personave të skajshëm brenda tyre.

Kur merret në konsideratë vështirësia rajonale e qeverisjes së Turqisë, situata e imponuar nga sistemi zgjedhor për kandidatët dhe partitë që të ndjekin një politikë më pajtuese është një zhvillim pozitiv.

Shansi i raundit të dytë

Edhe pse sondazhet publike tregojnë që zgjedhjet presidenciale do të përfundojnë në raundin e parë, partitë dhe kandidatët e opozitës po përpiqen me të gjitha forcat për t'i çuar zgjedhjet në raundin e dytë. Teorikisht, shansi që zgjedhjet presidenciale të shkojnë në raundin e dytë i detyron kandidatët dhe forcat politike që të përdorin një gjuhë më të kujdesshme dhe më të zgjedhur. Sidomos partitë opozitare, të cilat s'kanë gjasa që të marrin 50%+1 të votave vetëm nga elektorati i tyre, duhet që të gjenerojnë vota nga forcat e tjera politike dhe pjesërisht nga AK Partia. Kjo domosdoshmëri i imponon natyrshëm kandidatët dhe partitë jo vetëm që t'u distancohen akteve dhe gjuhës, që do të ngjallte zemërimin e tabanëve të forcave politike të tjera, por edhe që të zhvillojnë politika më përqafuese. Më pas, në rast se nuk dominon njëri nga kandidatët apo partitë dhe zgjedhja e presidentit mbetet për në raundin e dytë, efekti zbutës i raundit të dytë do të vërehet shumë më qartë. Duke qenë se ekziston një shans i tillë dhe forcat politike mund të formojnë koalicione të reja në raundin e dytë, ato nuk do të ashpërsojnë gjuhën e tyre, pasi do të kenë nevojë edhe për votat e partive të tjera.

E drejta e elektoratit për të paraqitur direkt kandidatin

Në zgjedhjet e mëparshme presidenciale, kandidat për postin e kreut të shtetit mund të paraqisnin vetëm grupet parlamentare të forcave politike ose një numër i caktuar deputetësh. Kjo situatë bartte në thelb rrezikun që vullneti i zgjedhësve të mos reflektohej mjaftueshëm në kutitë e votimit. Pra, ishte një mangësi në aspektin e lirive dhe demokracisë. Me sistemin e ri, kjo mangësi u eliminua. Tashmë të gjithë mund të paraqesin kandidatin e tyre presidencial duke grumbulluar 100 mijë nënshkrime. E drejta në fjalë ka një funksion pozitiv veçanërisht për të mbajtur brenda sistemit partitë e vogla dhe grupet margjinale. Nëse kjo e drejtë nuk do të ishte njohur, atëherë partitë/grupet në fjalë mund të ashpërsoheshin edhe më tepër. Por, me këtë të drejtë, shtresat e sipërcituara gjithashtu kanë tashmë potencialin për të nxjerrë kandidatët e tyre. Kurse në rast se nuk arrijnë të grumbullojnë 100 mijë nënshkrime, atëherë s'u mbetet më shans që të fajësojnë vetëm sistemin për këtë.

Formimi i koalicioneve përpara zgjedhjeve

Në zgjedhjet e mëhershme, formimi i koalicioneve nga forcat politike nuk ishte diçka e ligjshme. Duke qenë se në këto zgjedhje iu hap rruga bërjes së koalicioneve, partitë do të hyjnë në zgjedhje kryesisht përmes Koalicionit Popullor (Cumhur İttifakı) ose Koalicionit Kombëtar (Millet İttifakı). Pjesëmarrja e partive në zgjedhje me anë të koalicioneve zbut tensionet politike në dy forma: Më parë, koalicionet apo aleancat e forcave politike bëheshin pas zgjedhjeve dhe përpara tyre dëshmohej një proces elektoral “dhëmb për dhëmb”. Kurse tani, meqenëse koalicionet janë parazgjedhore dhe faktorët e lartpërmendur janë efektivë gjithashtu në procesin zgjedhor, gjuha politike është natyrshëm më e moderuar. Në të njëjtën kohë, formimi i koalicioneve përpara zgjedhjeve i jep elektoratit shansin që t'i miratojë ose jo koalicionet në fjalë.

Pjesëmarrja në zgjedhje me anë të koalicioneve, nga ana tjetër, u ofron edhe forcave politike të vogla mundësinë për të hyrë në Parlament, sepse kështu ato s'do të pengohen nga pragu zgjedhor prej 10%. Dhe rritja e përfaqësimit politik në Parlament redukton ndjeshëm tensionet politike gjatë procesit zgjedhor.

Politika diskriminuese e identitetit tashmë s'do të gjejë më terren

Gjatë këtij procesi elektoral, nuk po dëgjohen pothuajse fare polemika si reaksionar-progresist, laik-fetar, modernizëm apo Qemalizëm, të cilat ngrihet vazhdimisht në rend të ditës sidomos nga partitë e majta. Mirëpo s’do të ishte racionale që të mendojmë apo themi se këto polemika janë bërë befasisht të pakuptimta për forcat politike në fjalë. Arsyeja më e rëndësishme e këtij ndryshimi të retorizmit është me siguri ndryshimi i sistemit elektoral. Fakti që 50%+1 e votave s’mund të fitohet duke u bazuar vetëm në tabanin e tyre, me politikë diskriminuese të identitetit, i detyron partitë të rishikojnë politikat që ato ndjekin prej dekadash të tëra. Duke qenë se për të ardhur në pushtet tashmë nevojitet mbështetja e shtresave të gjera të shoqërisë dhe jo politika diskriminuese e identitetit, forcave politike u imponohet një ndryshim i detyruar për të pasur shans komunikimi me shtresa të ndryshme të shoqërisë. Ky është një zhvillim pozitiv për Turqinë.

Përjashtimi i zgjatimeve të terrorizmit

Një tjetër fakt që spikat në këtë proces zgjedhor është se asnjë forcë politike, edhe pse në dukje, nuk i është qasur një koalicioni me Partinë Demokratike të Popujve (HDP), e cila s’ka arritur të distancohet me kufij të qartë dhe të theksuar nga organizatat terroriste. Ky presion shoqëror është një zhvillim pozitiv për funksionimin e demokracisë në kontekstin e normave të saj. Ndërkohë që forcat politike hyjnë në zgjedhje si organizata civile dhe demokratike, tashmë pas zgjedhjeve ato s’do të mund t’u çojnë selam malit (Kandil), terrorizmit; s’do të jenë në gjendje të marrin direktiva nga anëtarët e pazgjedhur të organizatave terroriste.

Populizmi në rritje

Domosdoshmëria për të siguruar mbështetjen e shtresave të gjera të shoqërisë duket se ka rritur edhe populizmin në këtë proces elektoral. Partitë opozitare në veçanti po fokusohen mbi ato çfarë dhe mënyrën si do të zhbëjnë, jo mbi ato çfarë dhe mënyrën si do të prodhojnë. Kjo vjen pak edhe si rezultat i asaj që Turqia s’është më një vend prej 2.000 dollarësh, por mbi 10.000 dollarësh (PBB për frymë) dhe s’ka nevojë për 80 centë. Përveç kësaj, të gjitha llojet e shpenzimeve populiste me rrugë si taksat, etj. që nuk mbulohen, janë të mundshme vetëm përmes kostove që paguhen nga të tjerët. Rritja e taksave ngushton tregun, hapësirën civile dhe zvogëlon prodhimin. Fundi i premtimeve mikluese, të pajustifikuara për të gjithë dhe për gjithçka, është mungesë prodhimi, pra, barazi në skamje.

Politika e re: Të ndjekësh të mundshmen dhe jo kontradiktoren

Në një situatë që e shikon Turqinë përballë rreziqeve mjaft serioze në rajonin e saj, është me rëndësi jetike për mbijetesën e vendit që në kursin e brendshëm të përvetësohen më tepër politikat bashkuese dhe jo përçarëse, afruese dhe jo polarizuesve, politikat identitare që u japin prioritet shtresave të gjera të shoqërisë dhe jo komuniteteve të vogla. Sistemi i qeverisë presidenciale duket se e ka siguruar këtë situatë që tani. Këtej e tutje, për të fituar më shumë vota nga shtresat e gjera të shoqërisë, kandidatët dhe forcat politike duhet të ndjekin të mundshmen dhe jo margjinalen/kontradiktoren.

Pasi dhe politika është “arti i së mundshmes”.

 

*Dekan i Fakultetit të Shkencave Politike të Universitetit “Yildirim Beyazit”, Ankara

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme