Samiti i OBI-t për Palestinën – Erdogan fshikullon “banditizmin, terrorin shtetëror” të Izraelit

Kreu i shtetit turk deklaroi se Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë ndërkombëtare për masakrimin e njerëzve pafajshëm...

erdoğan
oic

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan i përshkroi mbrëmjen e së premtes masakrat izraelite ndaj palestinezëve si “banditizëm, mizori dhe terror shtetëror”.

“Unë them haptazi: Ajo që bëri Izraeli është banditizëm, mizori dhe terror shtetëror”, deklaroi ai në fjalën e hapjes së takimit të jashtëzakonshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islam (OBI), në Stamboll.

Erdogan tha se Izraeli duhet të mbajë përgjegjësi përpara drejtësisë ndërkombëtare për masakrimin e njerëzve pafajshëm.

“Të ndërmarrim aksione për palestinezët e masakruar nga banditët izraelitë do të thotë t'i tregojmë të gjithë botës se njerëzimi nuk ka vdekur”, shtoi ai.

Presidenti turk vuri në pah se dënimi në vetvete, i cili nuk është ndalur kurrë, nuk do t'i jepte fund okupimit dhe persekutimit në Palestinë.

“Askush nuk do të na i japë të drejtat në një pjatë argjendi derisa vetë myslimanët t'i kërkojnë ato”, nënvizoi Erdogan.

Sekretari i përgjithshëm i OBI-t, Yousef al-Othaimeen, nga ana e tij bëri thirrje për hapjen e një hetimi ndërkombëtar për dhunën izraelite në Gazë.

“Një hetim ndërkombëtar mbi krimet e kryera nga Izraeli kundër Gazës është një kërkesë urgjente dhe e drejtë; agresori duhet të sanksionohet dhe të mbajë përgjegjësi”, deklaroi ai.

Al-Othaimeen afirmoi “mbrojtjen e nevojshme ndërkombëtare për popullin palestinez si pasojë e shkeljeve të vazhdueshme izraelite në territoret e pushtuara”.

Kreu i OBI-t tërhoqi vëmendjen se myslimanët kudo në botë presin një hap të vërtetë që “i jep fund agresionit të hapur izraelit kundër popullit palestinez”.

Ai gjithashtu kundërshtoi transferimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Jerusalem.

“Ne duhet të theksojmë paligjshmërinë e lëvizjes së SHBA-së”, shtoi Al-Othaimeen.

Kurse Mbreti Abdullah II i Jordanisë bëri thirrje për miratimin e masave urgjente për të mbështetur qëndrueshmërinë e popullit palestinez.

“Unë u bëj thirrje vendeve arabe dhe myslimane që të marrin masa urgjente për të mbështetur popullin palestinez, sidomos në nivelin ekonomik”, u shpreh ai duke potencuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të mbajë përgjegjësi ndaj popullit palestinez dhe ta mbështesë atë në të drejtat e tij.

“Ne do të përsërisim qëndrimin tonë të fortë se Jerusalemi është ende një territor i pushtuar”, tha Mbreti Abdullah II.

Ai garantoi se kujdestaria jordaneze mbi vendet e shenjta në Jerusalem do të vazhdojë dhe se vendi i tij do të refuzojë çdo përpjekje për të ndryshuar realitetin dhe statusin historik në Qytetin e Shenjtë të pushtuar.



Lajme të ngjashme